Lajçak: Liderët e Kosovës dhe Serbisë ranë dakord për aneksin e marrëveshjes

Lidhur me zhvillimet në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi është deklaruar sërish i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Lajçak tregoi sse gjatë gjithë javës që po lëmë pas ishte i angazhuar rreth dialogut Kosovë-Serbi.

Foli për vizitën e tij në Beograd, ku pati takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq për të diskutuar në lidhje me dialogun dhe po ashtu takoi edhe partitë opozitare pro Bashkimit Evropian.

“Kjo javë ka qenë e gjitha rreth dialogut. Filloi me një udhëtim në Beograd, ku vazhdova përgatitjet për takimin për dialogun e nivelit të lartë me presidentin Aleksandar Vuçiq. Gjatë takimit tonë, diskutuam për aneksin e zbatimit dhe rrugën përpara për Marrëveshjen. Derisa isha në Beograd, pata gjithashtu mundësinë të takohesha me partitë opozitare pro-Bashkimit Evropian për të diskutuar lidhur me dialogun dhe për të dëgjuar pikëpamjet e tyre për takimin dhe rrugën përpara. Më erdhi mirë kur pashë se shumica e tyre ishin në mbështetje të Marrëveshjes dhe rëndësisë së saj”, shkroi Lajçak.

I po ashtu tregoi se pas kthimit në Bruksel, pati disa përgatitje me ekipin e tij lidhur me dialogun të cilat kulmuan në Ohër, ku sipas tij, liderët e Kosovës dhe Serbisë ranë dakord për aneksin e marrëveshjes.

“Gjatë takimit, të thirrur nga Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell dhe unë, liderët e Kosovës dhe Serbisë ranë dakord për aneksin zbatues të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve të tyre”, u shpreh Lajçak./21Media

Back to top button