Lajçaku pret takim Kurti-Vuçiq para verës

 

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë të enjten se edhe Kosova edhe Serbia kanë shprehur përkushtim për dialogun dhe “mirëkuptim absolut” se dialogu s’ka alternativë, duke shtuar se pret që një takim mes liderëve të dy vendeve të ndodhë para verës.

Në një intervistë për “N1”, Lajçak ka thënë se vizitën e tij në rajon e ka bërë që të diskutojë me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si negociator të ardhshëm nga Kosova. Sipas tij, takimi me Kurtin ka pasur rëndësi të madhe për shkak se ka marrë mbështetje të madhe nga votuesit në Kosovë në zgjedhjet e 14 shkurtit. Ai ka thënë se e ka informuar Kurtin për dialogun e deritashëm. Lajçaku ka thënë se Kurti ka kuptuar se dialogu është i domosdoshëm dhe se pret që ai të vazhdojë duke udhëhequr palën kosovare.

“Ai është i gatshëm të vijë në Bruksel, të takohet me presidentin Vuçiq, dhe se kjo duhet të bëhet në një kohë të përshtatshme, pas formimit të institucioneve në Kosovë dhe kjo sigurisht do të ndodhë para verës”, ka thënë Lajçak.

Sipas tij, deri tash ka pasur përparime në dialog për çështjen e të pagjeturve, të të zhvendosurve por edhe për bashkëpunim ekonomik.

“Dialogu është absolutisht çelës për normalizim të marrëdhënieve, për rrugën evropiane, por edhe për normalizim të atmosferës mes Kosovës dhe Serbisë. Është e rëndësishme për mua që asnjë nga akterët që kam takuar në Kosovë dhe Serbi nuk kanë pyetur nëse dialogu është i nevojshëm, dhe ky është mesazh kyç”, ka thënë ai. /koha.net

Back to top button