Lajm i mirë për mërgimtarët, zgjatet afati i pasaportave

 

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka njoftuar se Kuvendi ka miratuar ndryshimet ligjore, me çka mundësohet zgjatja e afatit të dokumenteve të udhëtimit – pasaportës për shtetasit e Maqedonisë së Veriut që jetojnë jashtë vendit.

Kështu, të gjithë atyre që u ka skaduar pasaporta apo u skadon pas 31 korrikut, të njëjtat do të vlejnë deri më 31 dhjetor 2021, transmeton TV21.

Më poshtë njoftimi i plotë:

“Lajm i shkëlqyeshëm për qytetarët tanë jashtë vendit.

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut sapo miratoi ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për dokumente udhëtimi të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me çka atyre qytetarëve të cilëve u ka skaduar afati i pasaportës apo u skadon pas 31 korrikut, u vazhdohet afati i vlefshmërisë së këtyre dokumenteve deri më 31 dhjetor 2021. Me këtë, më në fund u dolëm në ndihmë nevojave të një numri të madh të qytetarëve tanë, të cilët për shkak të pandemisë, masave restriktive, karantinave dhe kushteve të tjera të vështirësuara, nuk patën mundësi t’i vazhdojnë në kohë dokumentet e tyre.

Vazhdojmë më tej edhe me projektin e-konsullatë, me stacionet bazë mobile, me të cilat së shpejti do t’i mbyllim plotësisht dhe në plan afatgjatë çështjet e lëshimit të pasaportave jashtë vendit”./TV21

Back to top button