Kaloni te përmbajtja kryesore

Lambrecht dhe Mehaj diskutojnë për sigurinë në Kosovë

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj sot ka pritur në takim Ministren e Mbrojtjes të Gjermanisë, Christine Lambrecht. Kjo është vizita e parë e një ministri të Mbrojtjes së Gjermanisë në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.

“Fillimisht, në këtë takim në mes të delegacionit të Ministrisë së Mbrojtjes së vendit, të kryesuar nga Ministri Mehaj dhe delegacionit të Ministrisë së Mbrojtjes së Gjermanisë, kryesuar nga ministrja gjermane Lambrecht, u bisedua lidhur me situatën e sigurisë në Republikën e Kosovës si dhe zhvillimet aktuale të sigurisë në regjion dhe më gjerë, të reflektuara nga agresioni ushtarak i Rusisë mbi Ukrainën”, bëhet e ditur në një komunikatë të dërguar për media.

Me këtë rast, Mehaj falënderoi Ministren Lambrecht për kontributin e dhënë për ofrimin e sigurisë nga trupat gjermane, që janë pjesë e KFOR-it.

Më tej, në këtë takim u bisedua për raportet e mira në mes të Kosovës dhe Gjermanisë, ku një kontribut të madh në përafrimin e dy vendeve ka dhënë diaspora kosovare në Gjermani, e integruar mirë, ku numri i tyre është rreth 400 mijë.

Ministri Mehaj theksoi se që të dy vendet gjithashtu ndajnë vlerat e përbashkëta në qeverisjen demokratike dhe kërkoi përkrahjen e shtetit gjerman për anëtarësimin sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës në NATO.

Ai gjithashtu ka kërkuar nga Ministrja Lambrecht mundësinë e bashkë-zbarkimit të trupave të FSK-së  në misione ndërkombëtare, ku trupat gjermane janë të angazhuara.

Në këtë takim u përmend mundësia e ripërtëritjes së Marrëveshjes së Mirëkuptimit në mes të dy vendeve si dhe nënshkrimin e Marrëveshjes SOFA.

Ministrja e Mbrojtjes së Gjermanisë, Christine Lambrecht sot është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin./21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button