Lansohet portali për tregti ‘Udhëzuesi i Tregtisë Ndërkombëtare’

“Kjo platformë ofron informacion deri në detaje për procesin e eksportit e importit”

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) promovuan sot lansimin e portalit për tregti “Udhëzuesi i Tregtisë Ndërkombëtare”, me ç’rast u bë e ditur se së shpejt do të lansohet edhe Qendra për rregullimin e informacioneve për lehtësira tregtare”.

Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi, ka thënë se përmes kësaj platforme kompanitë do të marrin informacionet e nevojshme.

“Shpeshherë kompanitë ndër problemet kryesore e kanë qartësinë me informatat e të bërit biznes. Kjo platformë ofron informacion deri në detaje për procesin e eksportit e importit. Është krijuar një bazë e mirë që mund të shfrytëzohet edhe nga mekanizmat e tjerë”, ka thënë ai.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala tha se kjo ueb faqe është e para e llojit të saj në Ballkanin Perëndimor dhe si e tillë do të ofrojë informacione të rëndësishme për bizneset.

“Kjo ueb faqe do të ofrojë informacione të shumta për shërbimet që u mundëson shfrytëzuesve që nga themelimi i biznesit e deri tek informatat për realizimin e importit e eksportit. Kjo është ueb faqja e parë në të gjitha vendet që janë pjesë e CEFTA-s dhe tregon për gatishmërinë e Kosovës për rritjen e transparencës. Së shpejt do të lansohet edhe Qendra për rregullimin e informacioneve për lehtësira tregtare”, ka thënë ai.

Ndërsa, Brian Martalus nga USAID-i, ka thënë se kjo platformë ofron detaje të rëndësishme për procedurat që ndiqen nga kompanitë në pjesën e të bërit biznes.

“Lansimi i kësaj ueb-faqe përfshinë informata të rëndësishme për kompanitë ku njofton për procedurat e eksportit importit e shumë procese të tjera. Kjo ndihmon kompanitë kosovarë të jenë më konkurruese edhe në tregun ndërkombëtar”, ka thënë ai.

Drejtori i Doganës, Bahri Berisha tha se kjo platformë mundëson që bizneset të kenë qasje për të gjitha procedurat që zhvillohen, ndërsa drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj tha se kjo është një platformë që i ka munguar deri më tash bizneset për lehtësim të tregtisë.

Back to top button