Latifi: Shëndetësia e Kosovës ka nevojë për projekte të mëdha

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Rifat Latifi, është takuar me mjekë dhe profesionistë shëndetësor shqiptarë të cilët jetojnë dhe veprojnë në Norvegji.
Takimi në formën e bashkëbisedimit është realizuar në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Oslo, me ç’rast u trajtuan tema dhe problematika të ndryshme të shëndetësisë së Kosovës, është bërë e ditur në komunikatë.
Theks të veçantë iu dha identifikimit të formave dhe mundësive që profesionistët shëndetësor që jetojnë jashtë vendit të mund të kontribuojnë në transformimin e shëndetësisë së Kosovës.
Ministri Latifi theksoi se pasi që Norvegjia ka një sistem shëndetësor shumë të avacuar, një bashkëpunim i tillë, mundëson shkëmbimin e përvojave apo ekspertizave me maltelbardhët në Kosovë, duke filluar nga mjekët, infermierët dhe të tjerët.
“Shëndetësia e Kosovës ka nevojë për ide dhe projekte të mëdha dhe për këtë kontributi i gjithsecilit prej jush është jo vetëm i mirëseardhur, por edhe i domosdoshëm. Nuk është e thënë që secili prej jush të kthehet në Kosovë për të zhvilluar veprimtarinë tuaj profesionale atje, pasi jo të gjithë kanë mundësi që të bëjnë një gjë të tillë në këtë fazë, por gjithnjë ekziston mundësia që edhe nga këtu të kontribuoni në përmirësimin e sistemit tonë shëndetësor”, ka thënë ndër të tjera Ministri Latifi në këtë takim.
Ministri Latifi shpalosi para të pranishmëve në detaje shtatë shtyllat kryesore të transformimit të sistemit shëndetësor të Kosovës si dhe projektet prioritare përmes të cilave do të bëhet i mundur ky transformim./21Media

Back to top button