LDK në Gjilan nominon Lutfi Hazirin për kryetar komune

Me unitet të plotë, strukturat e LDK-së në Gjilan në Konventën e madhe para përgatitore për zgjedhjet e vjeshtës, kanë nominuar Lutfi Hazirin për Kryetar të Komunës edhe për një mandat qeverisës.

Në emër të strukturave, ku mori pjesë edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nominimin zyrtar e ka bërë nënkryetari aktual i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli.

”Brenda dy muajve të takimeve tona në terren, ka dalë emri konsensual për t’i prirë sërish Komunës sonë, e ky është Lutfi Haziri, i cili i bashkon të gjitha gjeneratat. Para se ta ftoj kryetarin Abdixhiku për fjalën e tij, po e them një gjë: asnjëherë në jetën time, as unë e as kolegët e mi, nuk kemi qenë në garë me Lutfi Hazirin. Me bagazhin e tij politik, me punën dhe angazhimin që e ka bërë për këto 31 vjet, ai na mbulon të gjithë neve. Unë e kam pasur fatin që prej vitit 1997 të jem bashkudhëtar politik i tij. Dhe sot është në nderin tim që në emër të të gjithë juve që jeni sot prezentë këtu, ta nominoj zyrtarisht për kryetar të Gjilanit, mikun tim, Lutfi Hazirin”, ka thënë Ismajli.

Ndërkaq, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pasi e uroi për nominimin, ka thënë se e tërë Kosova, jo vetëm Gjilani, janë krenarë me Lutfi Haziri, duke qenë i bindur në fitoren e thellë në zgjedhjet e 17 tetorit.

”Lutfi Haziri i ka dhënë shumë vendit të tij, edhe si pjesëtar i ilegales, edhe si aktivist e zyrtar i LDK’së që nga themelimi, edhe si ministër e zëvendëskryeministër, por edhe si njeriu që e ka rikthyer fitoren e LDK’së në Gjilan dhe e ka shndërruar këtë qytet të mrekullueshëm në një vend ku mund të jetohet dinjitetshëm. Ai ka vendosur shembuj për të gjithë ne se si udhëhiqet me vendin. Ai është këtu ballëhapur para jush sepse ka tejkaluar secilin premtim që e ka dhënë. Miku im, Lutë, jemi të gjithë gjithë krenarë me ju dhe po t’i përcjell të falat me mbështetjen e plotë të secilit koleg. Jam i bindur thellë në fitoren tënde dhe rikthimin e madh të LDK-së ”, ka thënë Abdixhiku.

Gjatë adresimit në fund, kryetar aktual dhe i nominuari edhe për një mandat qeverisës, Lutfi Haziri, tha se ndjehet krenar me besimin e madh që i është dhënë sot e 31 vjet.

”Faleminderit deri në gjunjëzim të gjitha strukturave të LDK-së për besimin që t’i prijë Gjilanit tonë edhe për një mandat qeverisës. Faleminderit kryetarit të LDK-së, mikut tim, Lumir Abdixhiku, për vizitën e sotme dhe mbështetjen e madhe. Bashkimi dhe uniteti është ajo që LDK’në në Gjilan e identifikon dhe sa herë që kemi qenë bashkë, fitorja ka qenë e madhe – në formë plebishitare, për ta bërë Gjilanin tonë vend të jetueshëm e me dinjitet, ashtu sic edhe e kemi bërë dhe jam krenar për këtë. Të bashkuar, duke e ruajtur njëri-tjetrin si familje, ne do të arrijmë ta ruajmë shtëpinë tonë politike. Përpos pritjes së bashkatdhetarëve të cilët vijnë në familjet e tyre, ne do të punojmë me cdo qytetar për të dëgjuar për t’i pranuar të gjitha ato që na i thonë në sy”, ka thënë Haziri.

Përndryshe, Konventa ka nisur me raportimin e punës së Forumit të Rinisë, Forumit të Gruas, të Grupit të Këshilltarëve Komunal, për punën gjashtë javore në terren, sikurse edhe për vizionet e zyrave e Komisioneve profesionale, përkatësisht nga Gentrit Murseli, Valentina Bunjaku Rexhepi, Avdyl Aliu e Shpresa Kurteshi Emini./21Media

Back to top button