LDK: Veprimet e VV-së karshi institucioneve të pavarura janë diktatoriale

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka vlerësuar se veprimet e VV-së karshi institucioneve të pavarura janë diktatoriale, duke komentuar mbledhjen urgjente të thirrur nga Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për Komisionin e Pavarur të Mediave të premten.

Halimi konsideron se gjuha e qasja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje drejt anëtarëve të Komisionit të Pavarura për Media i ngjasonte komiteteve të Enver Hoxhës.

“Veprimet e pushtetit janë më shumë se ndërhyrje politike, janë veprime diktatoriale. Gjuha e qasja e deputetëve të partisë në pushtet drejtuar anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave i ngjasonte komiteteve të Enver Hoxhës. E gjithë kjo dramë ndodhë si për ironi, në shtëpinë e demokracisë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Halimi në “Facebook”.

Ajo ka thënë se mbledhja e thirrur nga deputetët e VV-së duhet të jetë alarm për të gjithë për tendencën e pushtetit që të atakojë, disiplinojë dhe kontrollojë çdo lëvizje të individëve që, Halimi konsideron se s’i përshtaten diktatit të tyre.

“Hiç më pak se katër orë, një mbledhje e thirrur si e jashtëzakonshme nga disa deputetë të LVV-së nga Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, është alarm që duhet të zgjojë vetëdijen e të gjithëve për tendencën e rrezikshme të partisë në pushtet që nëpërmjet fyerjes e atakimit të dinjitetit të individëve të disiplinojë dhe kontrollojë çdo lëvizje që nuk i përshtatet diktatit të tyre. Ky pushtet denigron integritetin e gjithë secilit, kjo është mënyra e vetme për të kap gjithçka, mbase të vetmen gjë që dinë ta bëjnë e erdhën në pushtet dhe tani po e mirëmbajnë atë”, ka thënë Halimi.

Sipas zëdhënëses së LDK-së, deri në fund të mandatit të VV-së rezultati i vetëm i tyre do të jetë kapja e të gjitha institucioneve të pavarura.

Back to top button