Lekaj: Me apo pa Demarkacionin, Qeveria nuk ka shpëton

Kosova duhet t’i kthehet sovranit të saj, popullit”

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, shprehet se Qeveria aktuale, me apo pa demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, nuk do të ketë shpëtim nga rënia dhe se Kosova duhet t’i kthehet popullit të saj.

Ai përmes një postimi shprehet se Mustafa po përpiqet ta mashtrojë popullin, por edhe ndërkombëtarët.

”Tani kur mocioni mori formën e vet dhe kryeministri e ka parë seriozitetin e tij, po nxjerrë ide e anekse nga me të ndryshmet të mundshme për të shpëtuar vetveten, por jo Kosovën. I vetëdijshëm që ka sjellë vetëm dëme prej kur erdhi në krye të vendit, Isa Mustafa po tenton t’i nxjerrë në lajthitje popullin por edhe ndërkombëtarët, me propozime e ide totalisht në kundërshtim me parimin e së vërtetës për integritetin e sovranitetin e vendit”, ka shkruar Lekaj.

Ai më tutje shprehet se beson që mocioni do të materializohet të mërkuren.

”’I bëjmë me dije kësaj qeverie dhe kryeministrit të saj se, me ose pa demarkacionin nuk kanë shpëtim nga rënia, kjo sepse deri tani vetëm i kanë rënë Kosovës, e kanë dërrmuar me keqqeverisje. Mocioni është i vërtetë dhe si i tillë besojmë shumë që do të materializohet të mërkurën, me mbështetjen e të gjithë deputetëve, për ti dhënë shansin Kosovës të bëjë ndryshimin për veten, për të tashmen e të ardhmen e saj. Kosova duhet t’i kthehet sovranit të saj, popullit”, ka shkruar më tutje Lekaj.

Ndryshe, sot Opozita ka dorëzuar sot mocionin e mosbesimit për Qeverinë në Kuvend./21Media

Back to top button