Lënda e edukimit seksual në shkolla po konsiderohet e domosdoshme
E domosdoshme po konsiderohet futja e lëndës së edukimit seksual në shkolla, në mënyrë që kjo temë të mos konsiderohet më tabu dhe të rinjtë të marrin në shkollë informacionet e nevojshme sa i përket kësaj çështje. Një lëndë e tillë, sipas psikologëve dhe sociologëve, do të ndikonte edhe në uljen e rasteve të ngacmimeve seksuale.
Aktualisht në shkolla nxënësit marrin mësime në lidhje me edukatën seksuale në disa lëndë të ndryshme, por që shpesh herë ka pasur kritika që të njëjtat janë tejkaluar nga mësimdhënësit.
Drejtoresha e koalicionit të OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve KOMF, Donjeta Kelmendi, thotë se lënda e edukimit seksual do të ndikonte që fëmijët të raportojnë edhe ngacmimet apo abuzimet seksuale.
“Është e rëndësishme futja e lëndës së edukatës seksuale në shkolla, e cila do t’i kontribuonte shumë përmirësimit të gjendjes. Megjithatë, krahas futjes së lëndës së edukatës seksuale në shkolla, duhet që të punohet shumë me fëmijët qysh në mosha shumë të vogla, në mënyrë që të përgatiten, të kenë informacionin e nevojshëm dhe të dinë të raportojnë format e abuzimit”, thotë ajo.
Ajo thotë se është shumë e rëndësishme që fëmijët qysh në moshë të hershme të marrin mësimet sa i përket edukatës seksuale, madje shton se duhet të ndodh qysh me fëmijët në institucionet parashkollore.
“Çështja e ngacmimeve seksuale apo edhe e formave të dhunës, duke përfshirë këtu edhe abuzimin fizik, abuzimin psikologjik, abuzimin seksual dhe neglizhencën, të cilat njihen si katër format kryesore të dhunës, duhet të adresuar në institucione, duke filluar në institucionet parashkollore dhe pastaj edhe në institucione tjera të cikleve të tjera të arsimit. Është shumë e rëndësishme që qysh në moshë shumë të hershme në institucionet arsimore të flitet hapur me fëmijët dhe të edukohen fëmijët mbi format e abuzimit, mbi katër këto forma të abuzimit. Fëmijët të përgatiten, të pajisen me informacionin e nevojshëm mbi format e dhunës, format e abuzimit duke përfshi këtu edhe ngacmimet seksuale, mos t’i pranojnë ato, do të thotë assesi mos t’i pranojnë ato dhe të edukohen fëmijët dhe të informohen për mënyrat e raportimit të formave të dhunës dhe ku duhet do të thotë t’i raportojnë këto forma të dhunës”, thotë ajo.
Deri tek eliminimi i ngacmimeve seksuale në mes të nxënësve të shkollave, Kelmendi thotë se një rol të madh mund ta luaj edhe prania e psikologëve, sociologëve dhe pedagogëve në shkolla, por që shkollat në Kosovë kanë mungesë të këtij kuadri profesional.
Edhe psikologja Shkurtë Bajgora, thotë se është shumë e nevojshme që lënda e edukatës seksuale të bëhet pjesë e lëndëve që nxënësit mësojnë në shkolla.
Bajgora potencon se nëse edukimi seksual nuk do të konsiderohej temë tabu dhe do të diskutohej lirshëm nga mësimdhënësit, atëherë nxënësit do të merrnin informacione shumë të rëndësishme që do t’iu shërbenin gjatë gjithë jetës.
“Përveç familjes ku nxënësit i marrin informatat e para, burim tjetër i sigurt është shkolla. Sigurisht që nëse shkolla nuk i ofron krejt informatat e nevojshme, atëherë nxënësit po kanë mungesë të informacionit dhe kjo mungesë e informacionit tani po shkon dhe po tejkalon në dukuri negative që po zhvillohen dhe sidomos që po raportohen kohëve të fundit…Sa i përket shkollës dhe lëndës së edukatës seksuale është shumë e nevojshme që të bëhet pjesë e planit kurrikular dhe jo vetëm si pjesë e lëndës së biologjisë ose lëndë të tjera që veçse janë pjesë e planit sepse kjo lëndë specifikisht i mëson fëmijët për ndryshimet hormonale, ndryshimet që po i përjetojnë trupi i tyre, gjëra të cilat ndoshta nuk e dinë se çka po ndodh, menaxhim të mirë si të higjienës menstruale, ashtu edhe të bërjes marrëdhënie seksuale në mënyrë të sigurt dhe të shëndetshme. Të gjitha këto kishin mundur të mbulohen me një lëndë të tillë, e cila fatkeqësisht ende nuk është pjesë e programit të Kosovës”, thotë ajo.
Përveç mësimit të edukatës seksuale, sociologu Besnik Peci, thotë se nxënësit duhet të kenë edhe lëndë të edukatës morale dhe fetare.
“Janë dy lëndë të cilat konsideroj që kanë ndikim drejtpërsëdrejti në ndërtimin e personaliteteve të mirëfillta te fëmijëve tanë, është edukata morale dhe fetare dhe në kuadër të Edukatës Qytetare t’i kushtohet rëndësi specifike edukimit seksual. Aty të mësohet një kapitull i gjatë varësisht prej moshës së fëmijëve, të trajtohet ai problem në mënyrën më adekuate të mundshme, që të mos jetë tabu, por edhe konform moshës së fëmijëve të merren informatat e nevojshme se si i mbrojnë ata prej këtyre akteve”, thotë ai në një përgjigje me shkrim.
Ditëve të fundit në Kosovë janë mbajtur protesta për të kundërshtuar ngacmimet seksuale në mes nxënësve në shkolla, ku edhe është kërkuar futja e lëndës së edukatës seksuale në shkolla./kp