Libri në doganë trajtohet si mall i rëndomtë! Kërkohet trajtim më i veçantë dhe lehtësira

 

 

Trajtimi në dogana që i bëhet librit që vjen nga Shqipëria dhe Kosova, është trajtim i njëjtë sikur po importon fruta-perime, tregoi shqetësimin e tij mbrëmë në ClickPlus opinionisti Latif Mustafa, i cili së fundmi ka hapur një librari në Shkup.

“Ka probleme shumë me furnizimin, një maqedonas e ka shumë të lehtë të marrë libra direkt prej Shkupit, por unë duhet ta sjell librin nga Tirana. Për ta sjellë nga Tirana duhet t’i kaloj 2 dogana. Për çdo doganë duhet të paguajë nga 25 euro për skanim, njëjtë siç paguan ai për patate dhe për uiski që i sjellë me tonelata”, tha Mustafa.

Për këto vështirësi që Mustafa i tregoi, gjatë emisionit përmes telefonit u kontaktua zëvendësdrejtori i doganave të Maqedonisë, Irfan Buçi, i cili u informua për hallin e librashitësve.

TV21- Ju si zv.drejtor i doganave, çfarë mund të premtoni dhe çfarë lehtësimesh mund të bëni në këtë drejtim?

Irfan Buçi: “Me sa e kuptova ata kanë pasur problem nëpër pikat kufitare sidomos me Shqipërinë, në Qafë Thanë. Askund në ligj nuk kemi ndonjë vonesë që t’u bëjmë pengesë, sidomos librave, qofshin ato në gjuhën shqipe apo ndonjë gjuhë tjetër. Ata mund të hasin problem në procedurat e dokumentacionit, kurse për librat shqip nuk besoj se mund të ketë ndonjë problem”.

Pedagogia Vjollcë Berisha kërkon që libri të trajtohet më veçantë në dogane, e të mos shihet si mall i zakonshëm.

“Çështja është te krijimi i politikave të veçanta të trajtimit të librit si mall i veçantë. Nuk guxon libri të trajtohet si mall i zakonshëm, siç sillen gjëra tët tjera…”, theksoi Berisha.

Brenga e regjisorit Qëndrim Rijani është pastrimi i tregut me të ashtuquajtur “libra të kollajshëm”. Ai insiston për filtra më të fuqishëm të botimeve, e aq më shumë të kihet kujdes nga të vetëshpallurit autorë e poetë në rrjetet sociale.

“Është më lehtë të quhesh poet vetvetiu. Është më e lehtë t’i dalësh përballë Kadaresë te panairi i librit, bën një foto dhe thua “me kolegun tim Kadare!”, potencoi Rijani.

E ftuar ishte edhe poetja e tekst shkruesja Dijana Toska e cila tha se arti mbindërtohet me kalimin e kohës andaj të rinjtë që nisin të shkruajnë nuk duhet që të dekurajohen./TV21

Back to top button