Ligji për pagën minimale dhe Trusti përplasin Muratin dhe deputetët e PDK-së

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati u shpreh se është detyrë e Qeverisë së Kosovës që në kohë krizash t’u dalë në ndihmë rasteve sociale, pasi që sipas tij, nismat e ndërmarra nga qeveria po i pengon opozita.
Në seancën plenare që po mbahet sot, Murati tha se opozita “po bënë filma” duke mos e votuar as Ligjin për pagën minimale, derisa shtoi se njëjtë do të veprojë edhe me Ligjin e pagave.
“Ne kemi nisur një reformë për skemat e asistencës sociale dhe është projekti marrëveshje me Bankën Botërore që po sillet tash e dy herë në Kuvend. Ne si Qeveri qe dy herë tentojmë me sjell në Kuvend dhe këtu nga deputetët e opozitës pra së fundmi ishin dy grupet parlamentare PDK dhe LDK, refuzohet ajo marrëveshje. Kur po flasim kujt me i ndihmu dhe kush ka nevojë më së shumti, ju po refuzoni. Ne kemi sjell marrëveshjen që zgjeron skemën sociale ju po e refuzoni atë dhe pastaj dilni dhe thoni ‘duhet t’i ndihmojmë qytetarët’, po hajdeni ndihmojeni, votojeni marrëveshjen… Ne e kemi sjell Ligjin për pagën minimale në Kuvend dhe çka ndodh, refuzohet dhe lëshohet salla, nuk ka kuorum, bëhen filma, bëhet thirrje që mos të votohet ky ligj. Votojeni Ligjin për pagën minimale sepse çka bën personat personat që marrin pagë minimale me automatizëm rriten… Ju na keni kërkuar sjellni pagën minimale kur e sollën pagën minimale tani nuk e votoni ngjajmë po bënë thirrje për Ligjin e pagave, kemi me sjell Ligjin e pagave prapë njëjtë keni me kundërshtuar sepse këtë e bëni ju vetëm e keni për poenë politik kur vjen çështja me i mbështet qytetarët ju refuzoni”, tha ai.
E ndaj këtyre deklarimeve ka reaguar shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri u shpreh se marrëveshja ndërkombëtare për reformën për asistencë sociale nuk do ta votojnë asnjëherë sepse është e dëmshme.
Sa i takon Ligjit të pagës minimale, Tahiri tha se propozimi është i pamjaftueshëm dhe se nuk do të lejojnë një ministër të pandërgjegjshëm me ngritë në këtë mënyrë pagën minimale.
“Sa i përket ngritjes së pagës minimale e kemi theksuar dhe e theksojmë prapë, është e pamjaftueshme, e kemi theksuar dhe në anën tjetër, një ministri të papërgjegjshëm si ti nuk bënë në asnjë rrethanë me ia lejua mundësinë i vetëm me ngrit, me përcaktu pagën minimale qeverisë pa përfshirjen e partnerëve social. Pra, kjo nuk ndodh sepse ju krejt çka kërkoni është ta keni në kompetencë të juaj pa partnerët, pa odat ekonomike dhe akterët tjerë që të vendosni të vetëm ngritjen e pagës minimale dhe kjo nuk do të ndodhë”, u shpreh ai.
Sa i takon Ligjit për trustin edhe njëherë deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu i ka bërë thirrje ministrit Murati të jetë pro këtij ligji dhe mjetet e Qeverisë pastaj t’i fokusojë për t’iu dal në ndihmë rasteve sociale./21Media

Back to top button