Lladrovci e Ajazi ftojnë qytetarët të votojnë

Dy kandidatët që synojnë karrigen e të parit të Drenasit, Ramiz Lladrovci nga PDK-ja dhe Driton Ajazi nga DD-ja kanë votuar.
Kandidati i PDK-së, Ramiz Lladrovci përmes llogarisë së tij në “Facebook” u ka bërë thirrje qytetarëve të Drenasit që të dalin e të votojnë.
“Unë votova, këtu, në vendlindjen time, në shkollën “Xhevë Lladrovci”, me pjesëtarët e ngushtë të familjes. Pas fushatës së qetë që mund ta quaj shembullore, i ftoj qytetarët e komunës së Drenasit, të dalin të votojnë për kryetarin e Drenasit, ta votojnë kryetarin i cili do të punojë bashkë me qytetarët në qeverisjen e ardhshme. Faleminderit!”, ka shkruar ai.
Po ashtu kundër kandidati i tij nga DD-ja, Driton Ajazi i ka ftuar qytetarit që të dalin dhe “ta japin votën lirshëm e të pandikuar”.
“Sot është një ditë e vullnetit të lirë qytetarë, ku përmes votimit ju e përcaktoni të ardhmen e komunës tonë për katër vitet e ardhshme. Me këtë rast ftoj të gjithë qytetarët e Drenasit që të dalin dhe ta japin votën lirshëm e të pandikuar, sepse vetëm kështu tregojm për demokracinë e kultivuar në shoqërinë tonë. Sot është dita juaj! Është momenti kur ju me verdiktin në kutinë e votimit do të vendosni se si do të udhëhiqet komuna jonë për katër vitet tjera”, ka shkruar Ajazi në “Facebook”.
Në Drenas të drejtë vote kanë 54 mijë e 908 qytetarë.
Ndyrshe, sot po zhvillohet procesi i votimit në 21 komuna të Kosovës të cilat shkuan në balotazh pas zgjedhjeve lokale të 17 tetorit./21Media

Back to top button