Lladrovci: Nëse raportimet për Berishajn janë të vërteta, kjo është goditje për të gjithë

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka dy fjalë për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Lladrovci ka folur në lidhje me raportimet që po bëhen për një skandal të Berishajt në Slloveni.
Lladrovci ka thënë se e ka njohur nga rinia e hershme Berishajn dhe se ky i fundit ishte me plotë besim dhe përkushtim për çështjen kombëtare, prandaj sipas Lladrovcit nëse raportimet e tilla janë të vërteta, kjo është një goditje për të gjithë.
”Me shqetësim mora vesh nga portalet se miku im Martin Berishaj ka bërë një ndërmjetësim financiar, ndërmjetësim sa i pabesueshëm, aq i dëmshëm. E njoha nga rinia ime e hershme, në rrethet më të vendosura e më kontribuuese për çlirim, ishte me plotë besim dhe përkushtim për çështjen kombëtare. Ishte pjesë e shumë proceseve pozitive dhe me peshë për luftimin e okupatorit, nga ilegaliteti i hershëm e deri në luftën tonë çlirimtare dhe shtetndërtimin. E njoha në proceset e rëndësishme për vendin dhe kombin. E njoha në dritën më të mirë. I besuam Martinit dhe e çmuam, si malësor të fjalës e përkushtimit atdhetar, si intelektual dhe kontribuues të madh për shkencën dhe çështjen kombëtare”, ka shkruar Lladrovci.
Martin Berishaj raportohej nga mediat sllovene se ka transportuar 600 mijë euro para të gatshme nga kompania e tij në Mal të Zi te politikani slloven, kryetari i Partisë së Lirisë, Robert Golob. Mirëpo këto raportime Berishaj i ka hedhur poshtë./21Media

Back to top button