Lladrovci thirrje Hoxhajt: Mos kandido për kryetar të PDK-së

 
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka thënë se beteja për kandidatura, për kohën dhe momentin tejet të ndjeshëm kur dy liderët e PDK-së janë padrejtësisht në Hagë, nuk i bëjnë mirë as partisë, as kandidaturave.
Përmes një shkrimi në Facebook, Lladrovci i ka bërë thirrje Enver Hoxhajt që mos ta shpallë kandidaturën për kryetar të PDK-së.
“Duke qenë se z. Memli Krasniqi e ka publikuar kandidaturën para jush, dalja juaj me kandidaturën e dytë, nuk mendoj se i sjell as unitet, as plotësim të pritjeve dhe mesazheve të anëtarësisë së gjerë, madje as qëllimit të liderëve tanë që kanë dëshmuar altruizëm dhe vetë sakrifikim për qëllime më madhore. Motivi i kësaj letre, jo vetëm që është tepër miqësor dhe i sinqertë, por, e konsideroj edhe si vijim i rrugës së përkushtimit të përbashkët, në funksion të unitetit, harmonisë, sepse, gara në këtë kohë, nuk është e shëndetshme. Këtë garë do ta quaja luks të tepruar dhe të gabueshëm, andaj, edhe konsideroj se vetëm kandidatura e z. Krasniqi do t’i plotësonte të pathënat e ditura, për PDK të fortë, unike dhe të qëndrueshme”, ka shkruar Lladrovci.
Sipas tij, PDK ishte dhe mbetet boshti kurrizor i shtetit dhe shtetësisë së Kosovës, gardiane e vlerave euro-atlantike dhe proceseve me interes nacional, sot e nesër.
“Ta bëjmë PDK-në më të fortë, edhe ju e keni këtë në dorë, miku im, Enver, ashtu siç e ka edhe z. Memli Krasniqi.Suksese”, ka përfunduar Lladrovci./21Media
 

Back to top button