Lokalizohen zjarret e përmasave të mëdha në Mitrovicë

Është bërë lokalizimi i zjarreve të përmasave të mëdha në fshatin Cernushë të Mitrovicës, ka njoftuar Policia e Kosovës të dielën.
Policia ka bërë të ditur se falë përkrahjes nga Forca e Sigurisë së Kosovës dhe KFOR-i, zjarret janë arritur të lokalizohet në orët e para të ditës së sotme.
Zjarret kishin përfshirë tri lokacione të ndryshme në Mitrovicë.
“Në fshatin Cernushë, zjarri ishte i përmasave shumë të mëdha dhe kishte përfshirë sipërfaqe të mëdha të pyjeve. Për ta lokalizuar zjarrin, janë ftuar në asistim edhe njësi të FSK-së dhe KFOR-it të cilët kanë ofruar asistimin e tyre si me personel poashtu edhe me pajisje. KFOR-i ka ofruar asistimin me helikopter për shuarjen e zjarreve”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Për shkak se zjarret ishin të përmasave të rrezikshme, Policia evakuoi disa familje në Cernushë.
Rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
Policia u bëri apel qytetarët të kenë kujdes në këto temperaturave të nxehta, pasi çdo pakujdesi e vogël mund të shkaktojë zjarre me pasoja të paparashikueshme./21Media

Back to top button