Ambasadori italian optimist për liberalizimin e vizave për Kosovën

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, është optimist se nën presidencën çeke do të jepet hapi i parë për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Ai thotë se vendi i tij mbështet fuqishëm largimin e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Ndërkohë, diplomati italian, përkrah dialogun Kosovë-Serbi, derisa thekson se integrimi evropian është i vështirë për dy shtete që kanë çështje kritike mes veti.
“Qëndrimi i Italisë për liberalizimin e vizave është i qartë që nga fillimi. Italia përkrahë liberalizimin e vizave edhe ngase Kosova ka mbet i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që i nënshtrohet kësaj disipline. Qytetarët kosovarë e njohin edhe natyrën e procedurave brenda BE-së, por sigurisht e dinë se Italia do të vazhdojë të mbështesë qëndrimin e Kosovës me partnerët evropian, duke u munduar që t’i bindë partnerët e fundit të cilët ende s’kanë marrë një vendim sa i përket kësaj. Shpresojmë se me presidencën çeke, do të mund të jepet një hap i parë i rëndësishëm për të nisur këtë proces, fatkeqësisht deri tash të bllokuar”, thotë ai.
Duke folur për dialogun, ambasadori De Riu, thotë se parimi i palës kosovare për njohje reciproke, nuk ka qenë i përfshirë në fillim të dialogut.
Sipas tij, dy vendet duhet të kenë parasysh se vetëm përmes gjetjes së një zgjidhje do të kenë të ardhme evropiane.
“Para së gjithash e dimë se qëndrimet reciproke të Serbisë dhe Kosovës janë të prekura nga një histori e të së kaluarës, dhe njëkohësisht që të dyja vendet duhet të kenë të qartë se vetëm përmes një dialogu ku mbrapa tij qëndron mbështetja e vendeve të BE-së, do të mund të arrijnë të shkojnë drejt shtegut të integrimit evropian. Në anën tjetër është e vështirë të imagjinojmë integrim evropian mes dy vendeve që vazhdojnë të kenë çështje kritike. Politika është arti i të mundurës, mjafton të ushtrohet ky parim, si nga pala kosovare dhe nga ajo serbe, dhe pastaj mund të arrihet në një përfitim konkret, që është ai i cili sjell drejt integrimit evropian, sepse përfitimi, para së gjithash do të jetë i qytetarëve…Fjala është për një parim (njohja reciproke), i cili është ngritë disa herë nga autoritetet kosovare edhe nëse në fillim nuk ishte i përfshirë kur ka filluar dialogu. Dialogu synon të krijojë, të vendosë tjegullat për të ndërtuar një objekt i cili pastaj duhet pas një kohë detyrimisht duhet të arrijë të normalizojë raportet”, shton ai.
Lidhur me bashkëpunimin Itali-Kosovë, ambasadori De Riu, thotë se i njëjti duhet të thellohet më tej, derisa tregon disa nga investimet italiane në Kosovë.
“Italia është partner shumë i mirë i Kosovës, sepse është partneri i 5-të më i madh i vendit, por ka ende shumë hapësirë për të rritur mbi të gjitha praninë italiane në Kosovë. Po e sqaroj më mirë: Nëse arrijmë të japim njohuri më të mirë për mundësitë që mund të gjejnë në Kosovë kompanitë italiane, që mund të zhvendosen, kjo do të sillte dobi qoftë për kompanitë italiane që bëhen më konkurrente por mbi të gjitha për qytetarët e Kosovës që do të kenë më shumë mundësi punësimi dhe do të kenë më tepër mundësi që të rrinë në vendin e tyre, në vend se të shkojnë në vende tjetër për të gjetur punë. Duke parë vështirësitë për të dhënë më shumë njohuri rreth Kosovës në Itali, po punojmë shumë mbi kompanitë italiane të pranishme në Shqipëri, sepse për dallim të kolegëve të tyre në Itali, ato tashmë e kanë një ide rreth kulturës shqiptare dhe kosovare, pasi gjenden afër. Megjithatë, jemi të kënaqur që tash rishtazi, një nga kompanitë e para italiane tashmë e pranishme në Shqipëri, në muajin e kaluar ka vendosë të ndërtohet në Kosovë, afër Prishtinës në Lipjan, duke krijuar vende pune për rreth 60 femra. E dimë se nëse arrijmë, do të jenë pikërisht ato pak kompani që do t’i japin publicitet më të mirë Kosovës duke sjellë edhe kompani të tjera. Këtë e them ngase e di nga përvoja ime në Tunis, kështu ka ndodhë, dhe tani ekzistojnë 600 kompani italiane. Si për iniciativat kulturore ku kërkojmë bashkëpunim, e njëjta ndodh edhe në iniciativat ekonomike. Ne dëshirojmë të vijmë në Kosovë dhe të japim vende pune kompanive dhe personave dhe të shmangim që vendi të bie pre e burimeve të rëndësishme të të rinjëve, fuqisë punëtore duke i larguar ato”, deklaron ai.
Ndërkohë, tregon edhe disa nga aktivitetet kulturore që do të përkrahen nga Ambasada e Italisë në Kosovë.
“Kemi filluar më 12 korrik me Universitetin e Prishtinës me Verën Ndërkombëtare, ku kemi sjellë pak nga delikatesat e gastronomisë italiane studentëve kosovar të Universitet të Prishtinës. Mbi të gjitha, e përkrahim Manifesta14 Prishtinë, qoftë drejtpërdrejt përmes kontributit financiar por edhe në mënyrë të njëjtë “in kind” nga një kompani e madhe italiane e cila quhet Generale Costruzioni Ferroviarie, e cila ka ndihmuar në ndërtimin e Korridorit të Gjelbër (Green Corridor). Edhe ne si Ambasadë e kemi organizuar një ngjarje paralele praktikisht ekspozitën që quhet Ekodizajn shënuar 3Codesign, e cila do të mbahet në Galerinë Bogdani Polis, te katedralja “Nënë Tereza”, e që do ta inaugurojmë më 29 korrik, dhe natyrisht dua të ftoj publikun e gjerë që po na shikon të marrin pjesë. Ekspozita do zhvillohet përgjatë tri parimeve të ekonomisë qarkore: tri shkronjat R: reduktim, riciklim dhe ripërdorim. Është një temë tërësisht në linjë edhe me parimet e Manifesta14. Do të ketë një përzgjedhje të gjerë të objekteve të dizajnit të punuara nga dizajnerë italian apo industri italiane të cilat janë punuar me material të ricikuar dhe të qëndrueshëm. E mbështesim edhe Festivalin e Gastronomisë Prishtinë, me dy Chef/kuzhinierë italianë, të cilët do të gjallërojnë ditën e Arbëreshëve italianë më 31 korrik, sepse kemi një lidhje të fortë me Shqipërinë përmes komunitetit Arbëresh në Itali. Do të mbështesim edhe iniciativa të tjera me këta Chef/kuzhinierë, me një kompani këtu në Kosovë, e cila merr pjesë në Gastronomy Festival dhe ka një gamë të gjerë të produkteve italiane, kjo është pra Conad. Do ta mbështesim edhe mbrëmjen Gala të Ramë Lahaj, International Opera Festival, që do të mbahet më 31 korrik. Do të sjellim edhe pesë artistë të rinj të rrugës, në Meeting of Styles, që është një manifestim i organizuar këtu në vend”, tha ai duke shtuar se do ta mbështesin edhe Sunny Hill Festival dhe Dokufest.
“Ne kemi vendosur që të mbështesim ardhjen këtu, për të marrë pjesë në festivalin Sunny Hill, të Mahmood, këngëtar i famshëm italian, që do të zhvillohet më datë 5 gusht. Ne synojmë të shfrytëzojmë famën që Mahmood gëzon në Itali për të rritur njohurinë rreth Kosovës te italianët, që fatkeqësisht nuk është ende shumë e zhvilluar. Dhe në fund e përmbyllim me Dokufest, që po ashtu do të mbështesim dhe që zhvillohet në Prizren, aty do të japim ndihmën tonë për një sukses më të mirë të iniciativës. Një muaj italian praktikisht me 10 ngjarje, që synon të bashkëpunojë dhe ndihmojë aktivitet që tashmë bëjnë entet dhe organizatat kosovare të punohet në bashkëpunim të ngushtë për t’i ndihmuar”, përfundon ambasadori De Riu./kp

Back to top button