LVV kundër tërheqjes së mjeteve nga Trusti, opozita pro

Lëvizja Vetëvendosje, sot u deklarua kundër Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Fondin Pensionale të Kosovës, i cili do të mundësonte tërheqjen e 30% të mjeteve nga Trusti. Mirëpo, partitë opozitare kërkuan që i njëjti të miratohet në Kuvend.
Deputeti i mazhorancës, Armend Muja, në seancën e sotme të Kuvendit, tha se nga tërheqja e mjeteve nga Trusti nuk e lufton inflacionin, përkundrazi e rritë atë. Ai tha se nga kjo nismë përfitojnë vetëm pesë për qind e shtresës më mesme dhe të lartë, kurse rreth 95 për qind e qytetarëve të aftë për punë nuk përfitojnë asgjë.
“Është detyrim i rregullores së Kuvendit që propozime të tilla duhet të kenë një deklaratë të ndikimit buxhetor. Deputetë të nderuar, ne kur e kemi marrë këtë propozim nuk ka asnjë specifik dhe deklaratë se çfarë nënkupton ky ligj. E dyta, ekziston një justifikim dy faqe, ku thuhet se ky projektligj synon që të luftohet inflacioni dhe rritja e çmimeve duke mos ditur se është e njëjta gjë. Për shkak të gabimeve drejtshkrimore është e vështirë të kuptohet edhe thelbi i argumentit. Megjithatë, ri propozimi nuk ndihmon asgjë, pasi ky kuvend e ka dhënë verdiktin gjatë vitit 2022 dhe nuk ka justifikime shtesë pos asaj që kemi trajtuar vitin e kaluar”, tha ai.
Ai argumentoi se kundër tërheqjes së mjeteve nga Trusti, janë edhe BQK-ja, FMN-ja, Banka Botërore dhe vet Bashkimi Evropian.
“BQK-ja ka argumentuar se ky propozim nuk ndihmon në luftimin e inflacionit, përkundrazi guvernatori Mehmeti thotë se e përkeqëson inflacionin në vend. E dyta, FMN-ja dhe Banka Botërore dhe BE-ja janë kundër me argumentimin që e cungojnë zhvillimin e tregjeve kapitale dhe mundësinë e qeverisë për të financuar tregje kapitale në vazhdim”, tha ai.
Mirëpo, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti kërkoi që të mbështetet tërheqja e mjeteve nga trusti pensional, pasi në këtë krizë ekonomike po mungon mbështetja e Qeverisë.
“Me gjithë këto kriza dhe kur mbështetja e Qeverisë mungon është e natyrshme opozita të propozoj masa siç është tërheqja e kursime pensionale nga Trusi, kjo nuk është zgjidhja e duhur sigurisht gjithkush e ka të qartë se nuk mund të tejkalohet kriza me tërheqje të mjeteve nga trusi pensional por është zgjidhja e vetëm që ka mbetur në dispozicion të qytetarëve….në këtë situatë ne nuk kemi zgjidhje tjetër përveçse të mbështesim plotësisht këtë projektligj dhe të ftojmë gjithë deputetët të mbështesin këtë projektligj”, tha Hoti.
Tërheqje të mjeteve nga Trusti kërkoi edhe shefi i deputetit të AAK-së, Besnik Tahiri.
“Mohimi i qasjes dhe shfrytëzimit të një përqindje nga vet kontributdhënësit është një qasje nënshtruese, përbuzshme ndaj dhe në emër të barazisë dhe sigurisë sociale….Po bëhen dy vite prej kur nuk ka asnjë veprim më të voglin me zbut varfërinë dhe krizën sociale. Po ashtu edhe me adresu çështjen që tash e sa kohë janë ngritur”, u shpreh ai

Back to top button