Macron premton rritje të pagave dhe masa të tjera si përgjigje ndaj protestuesve

Masat e njoftuara do t’i kushtojnë rreth 8-10 miliardë euro buxhetit të Francës

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka premtuar rritje të pagave dhe lëshime në taksa si përgjigje ndaj protestave të dhunshme që kanë ndodhur qe disa javë. Qe katër vikende njëpasnjë, protestuesit rreth Francës kanë ngritur zërin e tyre kundër rritjes së çmimit të karburanteve, kostos së lartë jetësore dhe çështjeve të tjera.

Presidenti Macron ka thënë se e ndëshkon dhunën, por sipas tij zemërimi i protestuesve ishte i thellë dhe në disa mënyra i pranueshëm. Ai ka thënë se minimum rrogat do të rriten për 100 euro nga viti 2019.

Masat e njoftuara nga Presidenti Emmanuel Macron, për të qetësuar një valë protestash në Francë, do t’i kushtojnë rreth 8-10 miliardë euro buxhetit të vendit.

Ministri i Financave, Bruno Le Maire para pak ditësh e quajti këtë situatë “kritike” për shoqërinë dhe demokracinë.

“Është katastrofë për bizneset, është katastrofë për ekonominë”, ka thënë gjatë një vizite në dyqanet e Parisit që janë dëmtuar gjatë protestave.

Protestat e “jelekverdhëve” kanë filluar më 17 nëntor, pas vendimit të Qeverisë franceze për të rritur taksat në karburante. Pjesa më e madhe e punonjësve në Francë janë të zemëruar me rrogat e vogla, taksat e larta dhe shkallën e lartë të të papunësuarve.

Në Francë, çmimi i karburantit është rritur me rreth 23% gjatë 12 muajve të fundit, në një mesatare prej 1,51 euro, më e larta që prej viteve 2000. Vendimi për të shtuar edhe 6,5 cent për litër benzine dhe 2.9 cent mbi litrin e naftës, duke filluar nga 1 janari i 2019-ës, bëri që zemërata popullore të shpërthente në këtë formë./21Media

Back to top button