Macron thotë se dërgimi i trupave perëndimore në Ukrainë s’mund të përjashtohet

Dërgimi i trupave perëndimore në Ukrainë “nuk mund të përjashtohet”, tha presidenti francez, Emmanuel Macron të hënën pasi priti një konferencë në Paris, ku liderët evropianë diskutuan perspektivën.

Nuk kishte “asnjë marrëveshje këtë mbrëmje për të dërguar zyrtarisht trupa në terren, por ne nuk mund të përjashtojmë asgjë,” u tha ai gazetarëve.

Konferenca e ndihmës për Ukrainën mblodhi së bashku përfaqësues të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, duke përfshirë 21 krerë shtetesh dhe qeverish.

“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të parandaluar që Rusia të fitojë këtë luftë”, tha Macron.

“Dhe e them këtë me vendosmëri, por edhe me një përulësi kolektive që duhet të kemi, në dritën e dy viteve të fundit”.

“Njerëzit që thanë ‘kurrë kurrë’ sot ishin të njëjtët që thanë kurrë kurrë aeroplanë, kurrë raketa me rreze të gjatë veprimi, kurrë kamionë. Ata i thanë të gjitha dy vjet më parë. Shumë rreth kësaj tavoline thanë se ‘ne do të ofrojmë helmeta dhe çanta gjumi’ dhe tani ata thonë se duhet të bëjmë më shumë për të marrë raketa dhe tanke. Ne duhet të jemi të përulur dhe të kuptojmë se ne (kemi qenë) gjithmonë gjashtë deri në tetë muaj vonesë”, tha Macron.

Macron njoftoi gjithashtu se do të krijohej një koalicion i ri për të furnizuar Ukrainën me “raketa dhe bomba” me rreze të mesme dhe të gjatë.

Udhëheqësit e BE-së dhe përfaqësuesit e qeverisë “vendosën të rrisin anën e municioneve dhe të prodhojnë rezultate të prekshme shumë shpejt” në tetë koalicionet që ekzistojnë tashmë, tha ai./21Media

Back to top button