Mali i Zi në protestë kundër “Ballkanit të Hapur”

Qytetarët e Malit të Zi protestuan duke kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Përpos kërkesës për zgjedhje, qytetarët shprehën edhe revoltën e tyre ndaj nismës “Ballkani i Hapur”. Ata kundërshtojnë përfshirjen e Malit të Zi në nismën e ndërmarrë nga tre vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
Deputetja e Partisë Socialdemokrate (SDP) Draginja Vuksanoviq-Stankoviq u shpreh nga protesta se nuk do të lejojnë shërbëtorët e presidentit Aleksandar Vuçiq të pushtojnë Malin e Zi.
“Nuk do të ketë Ballkan të Hapur, nuk do të ketë botë serbe. Dritan Abazoviq, ju që jeni ndihmësi i Vuçiqit, mund të trumbetoni vetëm Ballkanin e Hapur në Beograd, Vuçiq, Vulin, Rakoviq dhe Beçkoviq. Mali i Zi nuk do të komandohet nga Terazij dhe Dedinje por larg duart nga Mali i Zi”, ka thënë Stankoviq.
Aktivisti Vido Drashkoviq tha se “në një mijë vjet të ekzistencës së tij, Mali i Zi nuk ka pasur paqe, ashtu siç nuk ka sot”.
Ai u shpreh se “Ballkani i Hapur” nuk është asgjë më shumë se sa një botë serbe për të bllokuar Malin e Zi në rrugën drejt integrimit. Teksa iu refrua Dritan Abazoviqit, aktivisti e cilësoi si ‘fshesë’ dhe ‘lopatë’ të atyre që kërkojnë destabilizimin e Malit të Zi.

Back to top button