Sipas Malokut, Kosova është rasti i parë i eksperimentimit të idesë së sovranitetit në kushtet dhe rrethanat e proceseve globale

Sipas Malokut, Kosova është rasti i parë i eksperimentimit të idesë së sovranitetit në kushtet dhe rrethanat e proceseve globale

Sociologu Fadil Maloku ka shkruar për temat aktuale të realitetit të sotëm. Në një shkrim të publikuar në rrjete sociale, profesori universitar është shprehur se një nga temat më aktuale që ndërlidhen me realitetin e sotëm socio-politik, kulturor dhe ekonomik është ai globalizmit.

Më tutje Maloku ka shkruar për procesin e globalizmkit, duke dhënë edhe argumente dhe këshilla rreth këtij fenomeni.

Edhe pse thuhet se është i vështirë për t’u “kapur” me kompetencën e dioptrisë sociologjike (nga shkaku se dukuritë dhe fenomenet që janë në lëvizje e perfeksionim të vazhdueshëm është vështirë për t’i diagnostifikuar), prapëseprapë atraktiviteti dhe përvoja empirike kujtoj që duhet të jenë një motiv shtesë për të kuptuar esencën e reflektimit të këtyre proceseve globale në zhvillimet dhe proceset tona lokale e rajonale”, 

E them kështu, sepse sot asgjë nuk mund të zhvillohet pa ushtruar ndikime interaktive në proceset tjera qofshin globale apo ato lokale. I tërë ky proces i ushtrimit të ndikimeve gjithnjë me pretekste të një rrjetëzimi marramendës dhe të një shtrirje të gjithanshme horizontale, e padyshim edhe vertikale, është e natyrshme që s’ pari t’i prodhojë e më pastaj t’i fuqizojë si shkaqet ashtu edhe pasojat e veta specifike.

Në anën tjetër, duhet thënë që në debatet e sotme akademike rreth procesit të globalizmit, ka mendime, dyshime, shqetësime, rekomandime e lloj-lloj sugjerime të natyrave të ndryshme. Këto me këmbëngulje e mbrojnë qëndrimin se: e gjithë kjo çfarë po ndodh në botën e sotme, në formë procesi, tendence, e për dike edhe trendi në të gjitha poret e jetës shoqërore, politike, ekonomike, sociale e sidomos ushtarake e kulturore, në fakt nuk është asgjë tjetër përveç një lloj miti i ngritur me qëllim nga grupe të ndryshme interesi global që për qëllim kanë dezorientimin e shoqërive të dala nga komunizmi.

Këtë qëndrim e mbrojnë sot shumë sociologë të perëndimit e edhe të vendeve të tranzicionit dhe të atyre që janë në fazën e “zhvillimit të mbikëqyrur” (term i ri në literaturën sociologjike), ashtu siç jemi ne në Kosovë. Zaten, lirisht mund të gjykojmë se Kosova në një mënyrë apo tjetrën është rasti i parë (meqë shumica pajtohen: rast “sui generis”) i eksperimentimit të idesë së sovranitetit në kushtet dhe rrethanat e proceseve globale, por që tani nuk është objekt i analizës sonë sociologjike.

Gjithashtu, ka edhe të tillë që pa kurrfarë rezerve e hamendjeje e pranojnë si diçka normale e besa edhe si një proces e tendencë e rëndomtë por, gjithsesi të domosdoshme në rrethanat e pas rënies së komunizmit.
Pra, duke i studiuar këto këndvështrime të reja dhe çka është më interesant, me përplot dyshime dhe herë herë edhe të ngarkuara me doza ideologjizmash, të mbushet mendja sikur koncepti i globalizimit mund të identifikohet dhe padyshim edhe të shpjegohet vetëm me terma dhe gjuhë tipike mitike!?

 Pranimi i një debati të kësaj natyre, dosido na bënë që të mendojmë se këtu paskemi të bëjmë me një konspiracion global të disa elitave të përzgjedhura nga vetvetja e tyre, ku për çdo mëngjes në rrokaqiejt e mëdhenj atje diku në thellësi të New Yorkut apo të ndonjë megapolisi tjetër, përveç prognozave rreth motit, bëjnë edhe plane konspirative se si ta sundojnë botën e shekullit XXI?!

Në anën tjetër duket e pabesueshme, që me gjithë këtë revolucion teknologjik, ky farë “Big Brother”-si “konspirativ”, po arrin që përveç shkallës së lartë të menaxhimit me jetën, zhvillimin, emancipimin tonë global, pra vënies së plotë të kontrollit mbi ne, të bëjë edhe shpëlarjen e trurit!. Pra të amputojë konceptet e sjelljes sociale, politike, ushtarake e sidomos kulturore për gjitha ecuritë dhe proceset globale që po ndodhin në botën tonë reale?! Për mua një konstatim i tillë, i pa argumentuar me parametra para së gjithash empirik shkencor (apo dikush do të thoshte: pa informata të qarta )është një lloj absurditeti i llojit të vet që vetëm ata që kanë mendjen dhe bindjen obskurante mund të gjykojnë kështu…!”, ka shkruar Maloku./21Media