Manchester City shënon fitore kundër Real Madrid

Ka përfunduar derbi mes kampionit anglez Manchester City e gjigantit spanjoll Real Madrid, ndeshje kjo që ishte e vlefshme për takimin e parë të fazës së gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve.
Pas plot 90 minutave lojë të zhvilluara në stadiumin “Etihad”, Manchester City e ka mposhtur si vendas Real Madrid-in duke shënuar fitore me rezultat të ngushtë 4:3.
City e ka nisur furishëm ndeshjen, ku ka gjetur golin e epërsisë në minutën e 2-të të ndeshjes përmes mesfushorit Kevin De Bruyne, i cili më pas ka asistuar te Gabriel Jesus që shënon për 2:0 në minutën e 11-të.
Real-i ka arritur të rikthehet në lojë, ku sulmuesi francez Karim Benzema ka shënuar në minutën e 33-të për ta ngushtuar epërsinë në 2:1, gol ky që ka rezultuar të jetë i fundit për pjesën e parë.
City ka vazhduar me paraqitje bindëse edhe në pjesën e dytë, ku në minutën e 53-të Phil Foden ka shënuar për 3:1, por që kundërpërgjigja e Real-it ishte e shpejtë pasi që ylli brazilian Vinicius Junior ka shënuar në minutën e 55’ për 3:2.
Mesfushori Bernardo Silva ka shënuar golin e katërt për City-n në minutën e 74-të, kurse golin e fundit të ndeshjes dhe të tretin për Real-in e ka shënuar sulmuesi francez Karim Benzema në minutën e 82-të të ndeshjes.
Takimi i parë i gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve mes Manchester City-t e Real Madrid-it ka përfunduar 4:3 në favor të anglezëve, kurse ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 4 maj, ku Real-i do të zhvillojë ndeshje si vendas në “Santiago Bernabeu”.

Back to top button