Maqedonci pas takimit me homologun italian: Kosova në NATO do të garantonte stabilitet dhe paqe në Ballkan

(Lajm i përditësuar)


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur në takim homologun e tij italian, Guido Crosetton, i cili është duke qëndruar për vizitë në Kosovë.

Maqedonci, mes tjerash theksoi se temë e diskutimit ka qenë rritja e bashkëpunimit dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO.

“Rikonfirmuam angazhimin e përbashkët të të Kosovës dhe Italisë, për të vazhduar partneritetin tonë dypalësh në fushën e mbrojtjes. E nënvizova qëllimin tonë për t’iu bashkuar NATO-s, për të garantuar stabilitet dhe paqe në Ballkanin Perëndimor dhe me gjerë. Grazie Italia!”, shkroi Maqedonci në platformën X.


Ministri italian i Mbrojtjes mbërrin në Kosovë, ambasada jep detaje për agjendën e tij

Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, ka mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”.

Siç njofton Ambasada e Italisë në vendin tonë, në agjendë ministri italian ka një takim me homologun e tij kosovar, Ejup Maqedonci, sikurse edhe një takim me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash.

“Avioni me ministrin italian të Mbrojtjes, Guido Crosetto, sapo është ulur në Prishtinë. Në rend dite janë bisedimet me homologun e tij kosovar Ejup Maqedonci dhe me komandantin e KFOR-it Ozkan Ulutash. Në bazën e NATO-s në Film City, ai do të përshëndesë kontingjentin italian të dislokuar në Kosovë”, u tha në këtë njoftim.


Ministri i Mbrojtjes i Italisë vjen në Kosovë

Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, do të qëndrojë në Kosovë gjatë ditës së sotme.

Njoftimi u bë publik nga ministria e Mbrojtjes e Italisë, ku u tha se kreu i këtij dikasteri do të vizitojë ushtarët italianë në kuadër të KFOR-it për të festuar të Premten e Madhe.

“Po nisem për Kosovë për të kaluare të Premten e Madhe me ushtrinë tonë. Atyre u sjell përshëndetjet dhe afërsinë mirënjohëse të shtetit dhe italianëve. Është gjithashtu një mundësi e çmuar për takime të rëndësishme institucionale”, tha ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto.

Ministri Crosetto ka vizituar Kosovën edhe në nëntorin e vitit 2022, i cili po e shoqëronte zëvendëskryeministrin italian, Antonio Tajanin.

E Premtja e Madhe e Pashkëve, apo Dita e dytë e Treditëshit të Pashkëve, është festë krishtere që kremton Liturgjinë e mundimeve e të vdekjes së Jezu Krishtit mbi Kryq.

Back to top button