Maqedonia e Veriut armatoset, por për sa para?

Vendimi i qeverisë së Maqedonisë së Veriut për blerjen e pajisjes ushtarake me propozim të Ministrisë së mbrojtjes është pjesa e planit për modernizimin e Armatës për këtë vit, që do të thotë harmonizim me standardet e NATO-s. Nga Qeveria njoftojnë se me këtë plan do të përfshihen 8 projekte me çka do të harmonizohen standardet e pajisjes me ato të vendeve aleate.
“Plani përfshin gjithsej 8 projekte që do të realizohen përmes lidhjes së marrëveshjeve për blerjen e mallrave, shërbimeve dhe gjësendeve në sferën e mbrojtjes dhe sigurisë me qeveritë e vendeve anëtare të Aleancës. Sipas planit për modernizim të Armatës është paraparë blerje e automjeteve të lehta të blinduara me rrota, përkatësisht projekt i cili është në vazhdimësi, automjete speciale për qëllime të veçanta, sisteme të artilerisë dhe municion, sistem i mbrojtjes kundërajrore në lartësi shumë të vogla, remont i helikopterëve për transport, pajisje për kundërzbulim“, deklaroi Muhamet Hoxha, zëdhënës i Qeverisë.
Nga Qeveria nuk saktësojnë sa do të harxhojë shteti për këto pajisje dhe shtojnë tashmë janë siguruar mjete nga buxheti.
“Mjetet janë paraparë në Buxhetin për mbrojtje për vitin 2022, i cili është publik, i qasshëm dhe në përputhje me planin afatgjatë dhe afatmesëm për zhvillim të aftësisë mbrojtëse. Gjithashtu është i qasshëm dhe disa herë është përsëritur edhe informacioni se në buxhetin për vitin 2022, 30% e mjeteve janë planifikuar për modernizimin e Armatës“, theksoi Muhamet Hoxha, zëdhënës i Qeverisë.
Ndryshe, që nga viti 2019 ishte paraparë një Plan 10-vjeçar për modernizimin e Armatës sipas standardeve të NATO-s, sipas të cilit duhej të shpenzoheshin 700 milionë euro. Përmes një marrëveshjeje qeveri-me-qeveri, Maqedonia nga SHBA-të blen 89 automjete të blinduara të lehta për ta pajisur Grupin e Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë. Rreth 30 prej tyre duhej të arrinin vitin e kaluar, por dërgesa po vonon. Shumë nga këto pajisje janë të vjetra mbi 40 vjet, kurse Armata e Maqedonisë ka mungesë edhe në pjesën e armatimit modern./21Media

Back to top button