Marrëveshja për të burgosurit, pritet një tjetër vizitë nga grupi danez në Kosovë

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Mbretërisë së Danimarkës në fund të vitit të kaluar kanë nënshkruar dy letër-pëlqime ku Prishtina zyrtare do t’i sigurojë 300 vende për të burgosurit nga Danimarka. Megjithatë, grupet punuese të të dy vendeve janë duke u angazhuar për të detajuar marrëveshjen e cila duhet të kalojë në Kuvendin e Kosovës. Së shpejti pritet edhe një vizitë nga Mbretëria e Danimarkës në Kosovë në shërbim të këtij qëllimi.
Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ali Gashi ka deklaruar se tashmë janë realizuar disa vizita ndërsa në momentin që marrëveshja ratifikohet edhe në Kuvendin e Kosovës, ata janë të gatshëm që ta zbatojnë.
”Qeveria e Kosovës është në kontakt me Mbretërinë e Danimarkës, ku është duke u negociuar në mes të dy grupeve punuese dhe të Qeverisë së Kosovës por edhe të Danimarkës, kanë pasur disa vizita në Mbretërinë e Danimarkës por edhe ata kanë qenë në Kosovë…  Akoma janë në negociata, dhe në momentin që arrihet marrëveshja dhe ratifikohet në Kuvend do ta zbatojmë. Megjithatë tani pritet edhe një vizitë të jetë nga Mbretëria e Danimarkës, dhe grupet punuese do të detajojnë këtë marrëveshje në bazë të cilës, do të bëhen të gjitha parapërgatitjet, që të prezantohen në Kuvend dhe të ratifikohet nëse Kuvendi i Kosovës veç ka gatishmëri për ratifikim”, ka thënë Gashi.
Sfidë më vete për Shërbimin Korrektues të Kosovës mbeten edhe të burgosurit me çrregullime mendore për të cilat gjithmonë kërkohet staf shtesë. Vetëm në Qendrën Korrektuese të Femrave janë 9 të burgosura të identifikuara me çrregullime mendore.
”Në total nuk i kemi statistikat për sa i përket personave që janë me çrregullime mendore. Megjithatë, kemi vështirësi sepse nëse i referohemi vetëm një Qendre Korrektuese të femrave, atëherë nga raportet që vijnë nga kjo qendër kemi 9 femra që janë të identifikuara me çrregullime mendore dhe për të gjitha këto është vështirë të menaxhohet sepse 9 raste kërkojnë edhe staf shtesë”, ka shtuar ai.
Në qendrat përkatëse të SHKK-së po vuajnë dënimin e tyre edhe 62 të mitur për të cilët Gashi thotë se iu ofrohet arsimim, programe rehabilituese dhe aktivitete kulturore e sportive, përkundër se të njëjtat kanë qenë të kufizuara për shkak të situatës epidemiologjike.
”Numri i të miturve të burgosur gjithsejtë është 62. Ndërsa 52 nga ta i kemi në Qendrën Korrektuese për të miturit në Lipjan dhe 10 të tillë i kemi në Qendër në masë edukuese korrektuese në Lipjan. Me këtë kategori të personave të privuar nga liria, Shërbimi Korrektues i Kosovës punon nga afër dhe siguria e tyre është në nivelin e duhur, por krahas sigurisë Shërbimi Korrektues i Kosovës ofron edhe punësim, arsimim, programe rehabilituese dhe aktivitete kulturore e sportive. Por, për shkaqe pandemike edhe këto janë të kufizuara varësisht nga vendimet e Qeverisë së Kosovës”, theksoi Gashi.
Sa i përket numrit të të infektuarve në mesin e të burgosurve, Gashi tha se aktualisht është vetëm një dhe numrat gjithnjë kanë qenë të ulët. Situatën e përgjithshme në burgjet e Kosovës, ku po vuajnë dënimet e tyre 1763 të burgosur, e vlerëson të qetë.
Sa i përket shfrytëzimit të beneficioneve, të burgosurit kanë të drejtë që në vikend të jenë në shtëpi, por për nga masat që ka marrë Qeveria e Kosovës, Gashi theksoi se këta persona në momentin e kthimit në institucion duhet të kenë dy dozat e vaksinës apo të posedojnë testin PCR negativ.
Sipas masave, e njëjta vlen dhe për vizitat familjare, ku të afërmit e personave të privuar nga liria duhet të kenë 2 dozat e imunizimit, të bartin maskat gjatë gjithë kohës dhe të kenë testin për COVID negativ. Në Shërbimin Korrektues të Kosovës, vizitat familjare lejohen dhe mund të vizitojnë të afërmit e tyre më së shumti dy persona të rritur, dhe një i mitur. /kp

Back to top button