Kaloni te përmbajtja kryesore

Marrëveshja për zgjedhje mund të ndikojë pozitivisht në dialogun Kosovë – Serbi

Një marrëveshje për mbajtje të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë, besohet se duhet të bëhet vetëm nëse shtetit fqinj i caktohen disa kushte. Në të kundërtën, nëse lejohen të mbahen do të ishe një gabim i madh i institucioneve tona. Po ashtu, besohet se kjo marrëveshje do të ndikonte pozitivisht në dialogun Kosovë – Serbi.
Deklaratën e kryeministrit të Republikës së Kosovës, se duhet marrëveshje me Serbinë në mënyrë që të lejohet mbajtja e zgjedhjeve në vendin tonë, analisti politik Fidan Ukaj, e sheh më shumë si mundësi për dalje prej situatës së krijuar nga presioni ndërkombëtar.
Në një prononcim për rtv21.tv, Ukaj tha se Kurti e dinë mirë se Serbia nuk ofrohet për të bërë marrëveshje me Kosovën për zgjedhjet.
“Serbia në preambulën e saj Kosovën e llogaritë pjesë të territorit të saj. Zaten edhe kjo është arsyeja pse Serbia mban dhe insiston të mbajë zgjedhje edhe në Kosovë, sepse e llogaritë territor të saj, e kufirin që e ndanë Kosovën me Serbinë e njeh si kufi administrativ e jo kufi shtetëror”, tha Ukaj.
“Deklarata e zotit Kurti për një marrëveshje të tillë me Serbin për këtë çështje e shoh më shumë si mundësi për dalje prej situatës se krijuar nga presioni ndërkombëtar ndaj institucioneve tona për t’i lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të 3 prillit edhe në Kosove apo zgjedhje eventuale të tjera. Ofrimin e një marrëveshje me Serbinë nga zoti Kurti e shoh si pretekst se ne jemi ofruar të kemi një marrëveshje për këtë punë dhe Serbia nuk është e gatshme për një gjë të tillë”, shtoi ai.
Ukaj theksoi se nuk ka një vend në botë ku zgjedhjet e një shteti tjetër mbahen në një shtet tjetër sovran e të pavarur, përpos në Kosovë, dhe praktika e krijuar për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve serbe në Kosovë ka qenë një gabim i madh në të kaluarën.
Sipas tij, ndalimi i referendumit serb për t’u mbajtur edhe në Kosovë vendosi një standard të ri në respektimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë se vendit dhe çdo kthim mbrapa do të ishe një gabim i madhe i institucioneve tona.

Dritëro Arifi, profesor universitar i marrëdhënieve ndërkombëtare, tha për rtv21.tv se mendon se Qeveria e Kosovës duhet ta bëjë një marrëveshje apo duhet t’i vë disa kushte Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve.
“Pra ne nuk duhet të themi jo, por të kërkojmë kushte e jo t’ja lëmë vendit tjetër të thotë po ose jo, në varësi se a i pranon kushtet. Për mua kushtet duhet të jenë që të ketë një marrëveshje mes dy shteteve, të ketë mundësi që edhe Republika e Kosovës të organizojë zgjedhje në Republikën e Serbisë. Nëse nënshkruhen këto marrëveshje mes dy shteteve, atëherë edhe ne duhet t’i lejojmë zgjedhjet serbe”.
Tutje, Arifi tha se ne nuk duhet të shqetësohemi shumë se çfarë mendojnë serbët në Serbi, ne duhet të shqetësohemi se si duhet ta menaxhojmë, organizojmë dhe sigurojmë rendin dhe qetësinë në Republikën tonë.
“Kjo me të vërtet po i kalon kufijtë, që ne gjithmonë të mendojmë se çfarë mendojnë të tjerët. Pra ne duhet të sillemi konform rregullave ndërkombëtare, e ato janë gjithmonë shtetet që bëjnë marrëveshje me shtetet kur kanë ndonjë paqartësi. Ky është qëllimi dhe në këtë pikë pajtohemi”, tha Arifi.
Ndërkaq se sa mund të ndikojë kjo në dialogun Kosovë-Serbi, profesori theksoi se kjo mund të ndikojë shumë pozitivisht në dialog nëse ka pozitivitet nga ana tjetër.
“Por duke e ditur kushtetutën e Serbisë, që është një kushtetutë fashiste, në kuptimin që e ka një territor që nuk e kontrollon, atëherë nuk besoj se pavarësisht se ne a do t’i pranojmë apo jo, Serbia nuk do të jetë konstruktive, sepse fryma e saj ligjore e kushtetuese nuk është konstruktive”, përfundoi profesori.

Në një takimi virtual me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore të Kosovës të hënën, Kurti ka thënë se për mbajtje të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë, duhet të ketë një marrëveshje në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë
Kryeministri u ka thënë ambasadorëve dhe përfaqësuesve diplomatikë se “ne nuk dëshirojmë që t’ua pamundësojmë të drejtën e votës qytetarëve të Republikës sonë që kanë dyshtetësi, por në të njëjtën kohë nuk mund të veprojmë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit”.
Autoritetet serbe kanë mbajtur të martën një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të vendosur “rreth hapave të ardhshëm”.
Më pas, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, është takuar me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës.
Takimi pasoi njoftimin e Bashkimit Evropian se autoritetet në Kosovë e kanë refuzuar kërkesën e Quint-it për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë të 3 prillit./21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button