Martohet djali i Jakup Krasniqit, publikohen fotografi të çiftit

Pa prezencën e babait, Altini, djali i ish-kreut të Kuvendit të Kosovë, Jakup Krasniqi, martohet sot.
Lajmin e ka bërë të ditur ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku.
Klinaku ka shkruar se fati e deshi që ai të mos jetë në këtë ngjarje të gëzueshme. Krasniqi gjendet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.
“Shqiptarët, sipas traditës, gjithmonë dasmat i kanë bërë me prezencën e personave të familjes, farefisit dhe shoqërisë. Sot, Baca Jakup Krasniqi e marton djalin Altinin. Njerëzit më të afërt duan që të marrin pjesë në këtë ngjarje të gëzueshme, por fati e deshi që baca Jakup të mos jetë në këtë mes, sepse po përballet me një padrejtësi të madhe në Hagë. Urime Altin Krasniqi dhe Elizabetë Sylaj! U trashëgofshi!”, ka shkruar Klinaku.

Jakup Krasniqi po akuzohet për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit në Hagë.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty./21Media

Back to top button