​Masakra e Çikatovës, krerët e shtetit: Të vendoset drejtësia

Krerët e shtetit i kanë bërë thirrje sot Prokurorisë së Shtetit që të punojë për vendosjen e drejtësisë për krimet e kryera në Kosovë. Në 24-vjetorin e masakrës në Çikatovë të Vjetër, ata kanë kujtuar viktimat, duke thënë se kjo është dëshmi e gjenocidit të shtetit serb.

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se masakra në Çikatovë të Vjetër është dëshmi e llahtarshme e gjenocidit që Serbia ka kryer mbi popullatën e pafajshme.

“Edhe kjo masakër tregon që egërsia e pushtetit serb ka qenë ndaj të gjithëve, nuk është kursyer askush. As pleqtë, as fëmijët dhe janë pushkutuar në raste të caktuara dhe janë djegur pa asnjë mëshirë dhe ajo çfarë kërkojmë edhe sot në këtë përvjetor është drejtësia për të gjitha viktimat”, është shprehur Osmani pas homazheve në Kompleksin Memorial në Çikatovë të Vjetër.

Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se para 24 vjetëve janë vrarë 23 civilë të paarmatosur nga regjimi fashist i Millosheviqit.

“Jo vetëm që u vranë shqiptarët që jetonin në tokën e tyre dhe dëshironin veçse liri dhe paqe. Por, gjithashtu edhe kufomat e tyre u rrëmbyen dhe i dërguan në varreza masive, në pesë varreza masive, mbi 950 shqiptarë. Njëra prej atyre varrezave është edhe varreza në Rudnicë të Rashkës, ku në fakt janë eksohumuar edhe të vrarët e Çikatovës se Vjetër. Pra, ata që u vranë këtu u zbuluan si kufoma në Rudnicë të Rashkës, atje ku krerët shtetërorë të Serbisë i mbajnë mbledhjet me përfaqëesues politik të Listës Serbe, me eksponentë të krimit të organizuar dhe me drejtues të strukturave paralele në Kosovë”, ka deklaruar Kurti.

Ai është shprehur se katër vjet më parë në parlament është amendamentuar Kodi i Procedurës Penale, ku është mundësuar që kriminelët serbë të gjykohen në mungesë. Ai ka thënë se është koha e fundit që të sjellin drejtësi për viktimat.

“Ne këtu si tre krerët e institucioneve shtetërore që jemi bëjmë thirrje edhe një herë që Prokuroria e Shtetit, sistemi i drejtësisë në vendin tonë të jetë shumë aktiv, sepse është koha e fundit që të sjellim drejtësi për viktimat, e dënim për kriminelët. Nuk mund të presim që faktorët ndërkombetarë do të bëjnë punën tonë, nëse ne nuk e bëjmë një gjë të tillë së pari vet”, ka shtuar ai.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca është shprehur se masakrat e kryera tregojnë për qëllimin e pushtetit serb për shfarosjen dhe zhdukjen e kombit shqiptar.

“Meqenëse nuk janë kursyer as fëmijët, e kjo tregon që të gjithë janë vrarë vetëm për shkak të përkatësisë kombëtare, për shkak se kanë qenë shqiptarë. Serbia është prej shteteve që më së shumti ka shkaktuar viktima në ballkan gjatë viteve të ’90-ta dhe më së paku është dënuar si shtet. Strukturat e saj të larta ushtarake, policore, të intelegjencës dhe të shtetit, të cilat kanë qenë segmentet kryesore që e kanë organizuar gjenocidin në Bosnjë edhe në Kosovë, fare pak janë dënuar. Përkundrazi, gjeneralët e ushtrisë, oficerët e nivelët të lartë kanë bërë karrierë të lirë ushtarake, policore në Serbi. Jo vetëm që nuk janë dënuar, por po e shohim edhe sot e kësaj dite përcaktimin që e ka shteti i Serbisë, aspak nuk ka ndryshuar mendje për gjithë ata që gjenocid që ka bërë, nuk ka kërkuar falje, nuk janë penduar fare udhëheqësit e Serbisë që janë të sotmit, por edhe ata kanë qenë në vitet e 90-ta pjesë e aparatit shtetëror”, është shprehur ai.

Tre liderët e shtetit kanë bërë homazhe edhe Kompleksin Memorial në Poklek të Drenasit, ku janë vrarë, masakruar e djegur mbi 50 viktima në shtëpinë e familjes Muqolli.

Në Poklek të Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër, ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeç.

Back to top button