MASHTI arrin ta bind Kastratin për të pezulluar reformën në tri shkolla

Bajrami thirrje nxënësve dhe prindërve

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi me Komunën e Kamenicës për të pezulluar reformën për organizim të shkollave, në tri shkolla të kësaj komune. Respektivisht për shkollën “Abdullah Krashnica”, “Presheva”, dhe shkollën “Rexhep Mala” në fshatrat Koretin dhe Topanicë.

Ministrja Hykmete Bajrami në konferencën për media tha se ka pasur takime të shumta me kryetarin e Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastratin, për të arritur një marrëveshje që nxënësit e kësaj komune të kthehen në bankat shkollore.

Bajrami tha se kanë rënë dakord që reforma për organizimin e shkollave të ngadalësohet në disa shkolla, shkruan rtv21.tv

Ministria do të fillojë studimin e gjendjes në shkollat në nivel vendi. Kemi arritur të inkorporojmë në buxhet për vitin 2020 shkollën “Fan Noli”, në Kamenicë. Në plan janë dhe dy çerdhe, ku dy shkolla të zbrazëta do të adaptohen në çerdhe”, tha Bajrami.

Ministrja tha se MASHTI e ka për obligim të sigurohet që po respektohet kalendari mësimor dhe të sigurojë mjetet për të gjitha shkollat.

Në fjalën e tij, Kastrati theksoi se organizimi i shkollave në komunën që ai drejton po bëhet për të krijuar kushtet më të mira për zhvillimin e mësimit më cilësorë.

Ai bëri të ditur se vendimi i komunës për shkollat “Fan Noli”, “Dëshmorët e Kombit”, “Hasan Prishtina”, “7 shtatori”, “Idriz Seferi” dhe shkolla “Nuhi Berisha”, do të vazhdojë dhe këto shkolla duhet të fuzionohen.

Kastrati falënderoi dhe MASHT-in për gatishmërinë e tyre për të ndihmuar.

Në fund, ministrja e Arsimit u bëri thirrje nxënësve dhe prindërve të fillojë mësimi në tërë Komunën e Kamenicës në planin dhe marrëveshjen e paraparë.

Nuk e kemi luksin për të humbur asnjë dite shkolle. Së shpejti do të dalim me planin për kompensim të mësimit të humbur”, përfundoi ministrja./21Media

Back to top button