Sa ka kapacitete Kosova për t’i pranuar 5000 refugjatë, për RTV21 flasin nga Qeveria

Institucionet e Kosovës janë deklaruar se do të pranojnë deri 5 mijë refugjatë nga Ukraina. Por, sa ka kapacitete vendi që t’u sigurojë strehim 5 mijë refugjatëve, portali rtv21.tv ka kërkuar sqarim nga Qeveria e Kosovës.
Rozafa Kelmendi, zëdhënëse e Qeverisë së Kosovës, tha për portalin rtv21.tv se përpos vullnetit të Qeverisë, “shpresat i mbajnë” edhe te kapacitetet që ofrohen nga sektori privat.
“Si ekzekutiv, ne i bashkohemi gatishmërisë së shprehur në Rezolutën e Kuvendit të Kosovës për strehim eventual të deri në 5000 refugjatëve nga Ukraina. Vetëm pak ditë më parë ne kishim shprehur gatishmërinë për të pranuar 20 gazetarë. E përpos vullnetit tonë, ne besojmë se ekzistojnë kapacitete të mjaftueshme për strehim eventual, përfshirë edhe kapacitetet që ofrohen edhe nga sektori privat”, tha Kelmendi.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka pezulluar përkohësisht regjimin e vizave hyrëse në Kosovë për shtetasit e Ukrainës.
Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës tha se me këtë vendim “vazhdojmë përcaktimin në përkrahje të koalicionit mbështetës për kundërshtimin e invazionit dhe agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe do të lehtësojmë strehimin e të gjithë atyre shtetasve të Ukrainës që zgjedhin vendin tonë si vendstrehim të tyre”.
E pyetur se ku është paraparë të vendosen këta refugjatë dhe se a do të integrohen në Kosovë qoftë duke u punësuar apo shkolluar, Kelmendi nuk ka dhënë detaje duke thënë se do t’i identifikojnë kërkesat dhe nevojat e ukrainasëve.
“Ditëve në vijim do të intensifikojmë komunikimin me qeveritë e shteteve partnere dhe organizatat ndërkombëtare, për të identifikuar kërkesat dhe nevojat e Ukrainës dhe mundësitë se si Kosova mund të ndihmojë në strehim”, tha Kelmendi për rtv21.tv.
Portali rtv21.tv i është drejtuar me pyetje Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) për të parë kapacitetin e qendrave të mundshme ku mund të strehohen refugjatët ukrainas, por të njëjtit nuk janë përgjigjur pyetjeve tona.
Sipas Kombeve të Bashkuara, më shumë se 2 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina prej nisjes së sulmit rus më 24 shkurt.
Zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara ka verifikuar 1 mijë e 424 viktima civile që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës dy javë më parë./21Media

Back to top button