Nagavci refuzon propozimin e kryetarëve të komunave: Mësimi vazhdon sipas kalendarit të ministrisë

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Arbërie Nagavci i ka kthyer përgjigje kërkesës së Kryetarëve të Komunave lidhur me formën dhe mënyrën e kompensimit të orëve mësimore të humbura gjatë ditëve të grevës së punonjësve arsimor në Republikën e Kosovës.
Sipas saj, mësimi vazhdon të mbahet sipas kalendarit të MASHTI-it të cilin e kanë publikuar ditë më parë.
Në përgjigje ndaj kërkesës së AKK-së, Ministrja Nagavci ndër të tjera thotë:
Sa i përket propozimit tuaj që kompensimi i 22 ditëve të humbura të bëhet duke shtuar nga 5 orë Brenda javës për çdo nxënës, ju njoftojmë se praktikisht dhe teknikisht është e pamundur të realizohet një gjë e tillë, si nga aspekti pedagogjik, ashtu edhe ai logjistik. Në këtë mënyrë, do të zgjatej dita e punës në shkolla, gjë që do të shkaktonte çrregullime në shkollat që punojnë në dy ndërrime, si dhe do të shkaktohej një barrë shtesë psikologjike e emocionale për fëmijët”.
Siç dihet, me datën 7 tetor Kryetarët e Komunave i drejtuan një kërkesë Ministres Nagavci lidhur me formën dhe mënyrën e kompensimit të orëve të humbura gjatë grevës.
Ata kanë propozuar që kompensimi i orëve të humbura të mësimit për shkak të grevës së përgjithshme në arsim, të bëhet duke i shtuar nga pesë orë pune për çdo nxënës brenda javës në kuptim të ditëve të rregullta të punës, sipas tyre kjo do të përballohej më lehtë për të gjithë pjesëmarrësit në proces mësimor si dhe do të garantonte standardet e kërkuara për zhvillimin normal të procesit./21Media

Back to top button