Mbahet takimi konsultativ për Hartimin e Strategjisë së FFK-së 2023-2028

Presidenti Agim Ademi ka mbledhur sot ekipin e brendshëm të Federatës së Futbollit të Kosovës për Hartimin e Strategjisë 2023-2028, e cila do të bëhet nën udhëheqjen e UEFA Grow Team.
Në këtë takim, ku ishin të pranishëm edhe nënkryetari Agim Dibrani dhe anëtarja e KE-së, Vjollca Krasniqi, i pari i FFK-së ka kërkuar nga përgjegjësit e të gjitha sektorëve që t’i paraqesin idetë, nevojat dhe propozimet e tyre në hartimin e strategjisë dhe njëherësh ka kërkuar të punojnë me përkushtim të madh dhe me saktësi, në mënyrë që ky proces të përmbyllet sa më shpejt dhe për herë të parë FFK ta ketë strategjinë e saj, e cila do të jetë e aprovuar edhe nga UEFA.
Ademi ka theksuar rëndësinë e madhe që ka hartimi i strategjisë, i cili sipas tij, do t’i paraqesë prioritetet dhe do t’i japë dimension tjetër zhvillimit të futbollit kosovar.
Ai ka thënë se FFK-ja ka bërë hapa të mëdhenj përpara pas anëtarësimit në UEFA e FIFA, porse tani ka ardhur koha për ta rritur ndjeshëm volumin e punës në të gjitha segmentet, në mënyrë që e ardhmja e futbollit të jetë e sigurt dhe të gjithëve t’u jepet mundësi e barabartë për të qenë pjesë e kësaj loje.
Takimi i radhës i ekipit të Hartimit të Strategjisë do të mbahet më 12 gusht./21Media

Back to top button