Mbahet testi i arritshmërisë, nuk u shënuan parregullsi që do të ndikonin në rezultate

 

Rreth 26 mijë nxënës të klasave të nënta, i janë nënshtruar sot testit të arritshmërisë të organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI).

Ky test është mbajtur në 156 qendra të testimit në gjithë vendin dhe në këtë proces kanë qenë të angazhuar mbi 460 komisionerë dhe afër 2 mijë e 200 administrues.

Nëpërmjet një njoftimi, MAShTI ka njoftuar se procesi i testimit ka filluar në kohë, në të gjitha qendrat ku është mbajtur testimi.

Sipas informatave të para të Komisioneve, çdo gjë ka shkuar sipas planit dinamik të punës dhe nuk është shënuar ndonjë parregullsi e cila do të ndikonte në rezultatet e testit.

Organizimi i testit është realizuar sipas kërkesave dhe standardeve më të larta, duke garantuar testim cilësor dhe të besueshëm. MAShTI falënderon të gjithë të përfshirët në procesin e testit të arritshmërisë, për kontributin dhe bashkëpunimin e tyre. Testimi i nxënësve të klasave të nënta ka për qëllim që të bëj orientimin e nxënësve për regjistrim në shkollat e mesme të larta”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Rezultatet e testit të arritshmërisë pritet të shpallen më 7 qershor./21Media

Back to top button