Mbesin në paraburgim polici dhe mësimdhënësi në rastin e të miturës nga Drenasi

Apeli i cilëson si të pabaza ankesat e avokatëve mbrojtës

Dy të dyshuarit, V.V dhe Sh.Xh, në lidhje me abuzimin seksual me të miturën nga Drenasi mbesin në paraburgim. Kështu ka bërë të ditur Gjykata e Apelit, e cila i ka vlerësuar si të pabazuara ankesat e avokatëve mbrojtës, kundër caktimit të masës së paraburgimit prej një muaji. Në këtë mënyrë, gjykata ka lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 07.02.2019 dhe 09.02.2019.

“I pandehuri V.V.po dyshohet nga ana e prokurorisë se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim seksual duke përdorur pozitën, autoritetin apo profesionin” nga neni 239 paragrafi 1. i Kodit Penal të Republikës së Kosovës(KPRK) dhe veprën penale “Ndërprerja e palejuar e shtatzënisë” nga neni 184 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe 33 të këtij kodi. Ndërsa i pandehuri Sh.Xh. po dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim seksual duke përdorur pozitën, autoritetin apo profesionin” dhe veprën penale “Nxitje e akteve seksuale me premtimin e rrejshëm për martesë” nga neni 240  i KPRK-së.”, bëhet e ditur në komunikatën e Gjykatës së Apelit.

Më 5 shkurt në media u raportua se e mitura nga Drenasi ishte keqpërdorur seksualisht nga profesori SH. XH dhe nga hetuesi policor V. V, ky i fundit e kishte lënë shtatzënë të miturën e pastaj e kishte detyruar që të abortojë. Për rastin e vajzës së mitur nga Drenasi aktualisht profesori Sh.Xh dhe zyrtari policor V.V, që dyshohen se kanë keqtrajtuar seksualisht janë në paraburgim për një muaj, ndërsa mjeku që ka kryer abortin është në arrest shtëpiak./21Media

Back to top button