Mbi 140 mijë rusë janë shpërngulur në Serbi, rusishtja gjuha e dytë në Beograd

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë thotë se më shumë se 140.000 qytetarë rusë e kanë regjistruar vendbanimin e tyre në Serbi, shumica prej tyre në Beograd. Në një shkrim të të gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” citohet Ministria e Brendshme të ketë thënë se në Beograd janë rreth 23 mijë ukrainas dhe rreth 5500 bjellorus.
“Sidoqoftë, ata gati 170,000 njerëz – ndërkohë, ndoshta janë më shumë – nuk janë të shpërndarë në mënyrë të barabartë në të gjithë qytetin me rreth dy milionë banorë. Ata jetojnë kryesisht në qendër dhe në pjesët më të mira të qytetit. (…) Rusishtja është bërë gjuha e dytë e Beogradit dhe rusët janë pakica më e madhe në qytet”.
Gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, në një artikull të publikuar shkruan për ardhjen masive të rusëve në Serbi. Autori i shkrimit, gazetari Michael Martens, vlerëson se kryeqyteti i Serbisë ka ndryshuar muajt e fundit me një shpejtësi të paprecedentë në historinë e tij të gjatë.
“Arsyeja për këtë është numri i madh i njerëzve nga Rusia që u vendosën në kryeqytetin e Serbisë pas sulmit rus në Ukrainë. Ata arritën në dy valë. Vala e parë goditi Beogradin pak pas 24 shkurtit, kur filloi pushtimi rus i Ukrainës. Këta ishin kryesisht rusë opozitarë të vendosur, të cilët nuk mundën ose nuk donin të pajtoheshin me ndërgjegjen e tyre për të vazhduar të jetonin në vendin e agresorit. Të tjerët erdhën kryesisht për arsye biznesi, sepse nuk donin të humbnin aksesin në tregje dhe banka të rrjetit global. Interesat pragmatike dhe neveria morale ndaj regjimit rus shpesh kombinohen. Ata donin që kompania e tyre të vazhdonte të punonte dhe nuk donin që djali i tyre të rritej në shoqërinë fashiste që Putin krijoi në Rusi, siç shpjegohet nga një çift i suksesshëm në sektorin e IT”.
Shumica e rusëve në Beograd nuk kanë probleme financiare, por disa serbë tani i kanë ato probleme, sepse për shkak të ardhjes së një numri të madh të rusëve çmimet e qirasë janë katërfishuar, shkruan tutje gazeta
Vala e dytë e emigracionit, siç u tha, filloi kur Putin shpalli mobilizimin më 21 shtator. “Ajo valë nuk ka përfunduar ende, përkundrazi. Numri i shtetasve rusë të regjistruar në Serbi po rritet çdo ditë”./21Media

Back to top button