Mbi 18.4 milionë të infektuar nga COVID-19 në botë

 

Në suaza globale numri i personave të infektuar nga koronavirusi ka tejkaluar 18 milionë e 400 mijë. Rreth gjysma e të infektuarve janë vetëm nga 3 shtetet më të prekura, Shtetet e Bashkuara, Brazili e India.

Numri i personave të vdekur në botë ka arritur në gati 700 mijë qysh nga fillimi i pandemisë, teksa të shëruar deri më tani raportohen mbi 11 milionë e 600 mijë pacientë. Raste aktive mbesin edhe mbi 6 milionë.

Sipas të dhënave të faqes së statistikave “Worldometers”, Shtetet e Bashkuara i kanë regjistruar 48,600 raste të reja të koronavirusit.

Kështu, numri i përgjithshëm i të prekurve nga virusi i ri në shtetin më të goditur nga pandemia shkoi në mbi 4 milionë e 860 mijë persona.

Përpos infektimeve, gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe rreth 570 të vdekur dhe shifra e përgjithshme e viktimave shkoi në gati 159 mijë.

Në Brazil në 24 orët e fundit janë regjistruar rreth 18 mijë raste të reja të infektimeve, një numër ky më i vogël se në ditët e kaluara. Megjithatë numri i viktimave të reja mbetet ende i lartë. Në 24 orët e fundit u regjistruan 570 të vdekur nga COVID19. Numri i përgjithshëm i të vdekurve atje është afruar shifrës 95 mijë, teksa të infektuar raportohen mbi 2 milionë e 750 mijë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Familjare në Indi ka njoftuar se gjatë 24 orëve të kaluara janë shënuar 50,000 raste të reja të personave të prekur nga koronavirusi.

Kështu, numri i përgjithshëm i të infektuarve në shtetin me 1.3 miliard banorë shkoi në 1,855,000 persona, që është shifra e tretë më e lartë në botë.

Përpos infektimeve, gjatë kësaj periudhe u raportuan edhe 810 viktima dhe numri i përgjithshëm i të vdekurve shkoi në 38,970.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, paralajmëroi sot se bota përballet me katastrofë të përgjithshme për shkak të mbylljes së shkollave shkaku i pandemisë, duke shtuar se kthimi i nxënësve në banka duhet të jetë prioritet kryesor.

Guterres tha se deri në mesin e korrikut, shkollat kanë qenë të mbyllura në rreth 160 shtete, duke prekur mbi një miliard nxënës, ndërsa rreth 40 milionë fëmijë nuk kanë mundur ta ndjekin klasën përgatitore.

Për më tepër, 250 milionë fëmijë nuk kanë qenë në shkolla as para pandemisë dhe vetëm një e katërta e nxënësve të shkollave të mesme në vendet në zhvillim kanë marrë shkathtësi themelore, tha ai përmes një video-konference.

“Tani ne përballemi me një katastrofë të përgjithshme që do të mund të çojë dëm potencial të pashembullt njerëzor, të minojë dekada të përparimit dhe t’i përkeqësojë pabarazitë e rrënjosura”, tha sekretari i OKB-së përderisa e hapifushatën “Mbrojeni të ardhmen tonë”

Edhe pse e gjithë bota është në kërkim të një vaksine kundër Covid-19, ekspertët e OBSH-së janë skeptikë dhe thonë se kundër virusit Corona nuk do të zbulohet kurrë ndonjë “kurë çudibërëse”.

Shumë gjëra janë ende të pashpjeguara në lidhje me virusin Corona. Prandajdrejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros

Adhanom Ghebreyesus, dhe Drejtori i Emergjencave i OBSH-së, Mike Ryan, paralajmërojnë autoritetet e të gjitha vendeve që të zbatojnë me rigorozitet rregulla standarde, si mbajtja e maskave, larja e shpeshtë e duarve, mbajtja e një distance fizike dhe testime për koronën. /21Media

Back to top button