Mbi 20 milionë euro vetëm për këshilltarë të projektit ‘Kosova e Re’

Bëhet e ditur shuma e mjeteve të shpenzuara deri më tani vetëm për këshilltarët

Balkan Green Foundation (BGF), Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në kuadër të kampanjës, #mosthujsekamdite, kanë bërë të ditur për shumën e mjeteve të shpenzuara deri më tani vetëm për këshilltarë të projektit ‘Kosova e Re’.

Këtë muaj, Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) ka shpallur tender me vlerë referenciale prej 4 milionë euro për blerjen e shërbimeve të konsulencës për projektin e “Kosova e Re”. Me këtë tender, shpenzimet për këshilltarë të projektit “Kosova e Re” do të arrijnë mbi 20 milionë euro.

Në vitin 2006, Banka Botërore për herë të parë kishte angazhuar këshilltarë të transaksionit, ku deri më 2011 ishin shpenzuar 16,4 milionë dollarë (12 milionë euro, sipas mesatares së këmbimit të valutës për periudhën 2006-2011), prej të cilave 5,5 milionë dollarë (4 milionë euro) ishin mbuluar nga buxheti i Kosovës.

Në vitin 2011, Qeveria e Kosovës kishte marrë përsipër që të angazhojë kompani konsullente për projektin ‘Kosova e Re’, ku ishin shpenzuar edhe 3.9 milionë euro.

Nga viti 2012 deri 2015, përmes disa kontratave për shërbime, Ministria e Zhvillimit Ekonomik kishte angazhuar tre menaxherë të ndryshëm të projektit, së bashku me staf mbështetës për një vlerë të përafërt prej 200 mijë euro. Për më tepër, individë të cilët janë angazhuar nga Qeveria e Kosovës për të menaxhuar projektin ‘Kosova e Re’, tani shërbejnë si punonjës të investitorit privat (ContourGlobal) të përzgjedhur për të investuar në këtë projekt.

BGF, GAP, GLPS dhe INDEP, ditë më parë, bënë thirrje që të anulohet tenderi prej 4 milionë eurosh për shërbimet e konsullencës për projektin ‘Kosova e Re’. Gjithashtu, këto organizata kërkojnë tërheqjen e menjëhershme të Kosovës nga kontrata për ndërtimin e këtij termocentrali, ngase kjo kontratë vendos një barrë të padurueshme mbi buxhetin e shtetit.

Back to top button