Mbi 6,000 njerëz të premten u evakuuan nga qytetet e Ukrainës

Iryna Vereshchuk, ministrja e Ukrainës për riintegrimin e territoreve të okupuara përkohësisht, tha se 6,266 njerëz u evakuuan nga qytetet ukrainase të premten.

Vereshchuk vuri në dukje se shifra përfshin 1,431 njerëz që u zhvendosën nga qytetet jugore të Berdiansk-it dhe Melitopol-it – me automjetet e tyre – në qytetin e mbajtur nga qeveria ukrainase të Zaporizhzhia-s, përmes korridoreve të evakuimit.

Nga ky numër, tha ajo, 771 persona erdhën fillimisht nga qyteti i rrethuar i Mariupol-it, shkruan CNN, përcjell rtv21.tv

Vereshchuk tha se një autokolonë e veçantë prej 42 autobusësh nga qyteti i Berdianskut me banorë të Mariupolit kishte kaluar një pikë kontrolli rus dhe ishte rrugës për në Zaporizhzhia. Duke përfshirë autobusë shtesë nga Melitopol, ato autokolona transportonin më shumë se 2,500 njerëz.

Ajo u shpreh se 10 autobusë mbërritën nga Zaporizhzhia në Berdiansk dhe shpërndanë 80 ton ndihma humanitare.

“Nesër në mëngjes do të vazhdojnë evakuimin e banorëve të Mariupolit”, shtoi ajo./21Media

Back to top button