Mbretëria e Bashkuar “thellësisht e shqetësuar” nga dënimet me vdekje nga gjykata pro-ruse për qytetarët britanikë

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është “thellësisht e shqetësuar” me dënimin e qytetarëve britanikë nga një gjykatë pro-ruse, tha të enjten në një deklaratë për CNN zëvendës-zëdhënësi i kryeministrit britanik.
Një gjykatë në Republikën e vetëshpallur Popullore të Donetskut dënoi të enjten me vdekje tre burra – shtetasit britanikë Aiden Aslin dhe Shaun Pinner dhe shtetasin maroken, Brahim Saadoune – të cilët i akuzoi si “mercenarë” për Ukrainën, sipas medias shtetërore ruse RIA Novosti.
“Ne kemi thënë vazhdimisht se të burgosurit e luftës nuk duhet të shfrytëzohen për qëllime politike. Sipas Konventës së Gjenevës, të burgosurit e luftës kanë të drejtën e imunitetit luftarak dhe ata nuk duhet të ndiqen penalisht për pjesëmarrje në armiqësi”, tha zëdhënësi britanik.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë me autoritetet ukrainase për të siguruar lirimin e çdo shtetasi britanik që shërbente në Forcat e Armatosura të Ukrainës dhe që po mbahen si robër lufte”.
Sekretarja e Jashtme e Britanisë, Liz Truss tha të enjten se  “dënon plotësisht” dënimin e Aslin dhe Pinner dhe i quajti ata “të burgosur të luftës”.
“Ky është një gjykim i rremë pa asnjë legjitimitet. Ne vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i mbështetur ata”, shkroi ndër të tjera ajo në Twitter./21Media

Back to top button