Mbyllet për publikun seanca për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Seanca e shqyrtimt gjyqësor ndaj Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj, të akuzuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, është mbyllur për publikun, për shkak se kishte për t’u dëgjuar nëna-bashkëshortja e të akuzuarve Mehmetaj.

Kërkesën për mbyllje të seancës, të mërkurën në Gjykatën Themelore në Pejë e bëri mbrojtësja e të akuzuarit Kastriot Mehmetaj, avokatja Kosovare Kelmendi, me arsyetim për ruajtjen e privatësisë së familjes Mehmetaj, e në veçanti për pyetjet për vajzën e tyre të ndjerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ëshë kërkesë e dëshmitarëve- familjarëve të këtu të akuzuarve C., dhe I.M., që në rastin e dëgjimit të tyre sot seanca të jetë e mbyllur dhe të përjashtohet publiku për shkak të ndjeshmërisë së rastit, me theks të veçantë për shkak të pozitës së C.M., e cila përveç që është bashkëshortë dhe nënë e të akuzuarve, është po ashtu edhe nëna e të ndjerës H., Andaj duke pas parasysh ndjeshmërinë dhe kompleksitetin, kërkojmë nga trupi gjykues që të aprovohet ky propozim”, tha avokatja Kelmendi.

Sipas avokates Kelmendi, neni 289, par.3, pika 3.2 i Kodit të Procedurës Penale ka paraparë që mund të kërkohet përjashtimi i publikut për shkak të mbrojtjes së jetës personale apo familjare të të akuzuarit, të dëmtuarit ose pjesëmarrësve të tjerë në procedurë.

Gjithashtu, ajo theksoi se dëshmitarja e sotme kishte qenë dëshmtare e Prokurorisë, e që nga ana e zyrtarëve policorë në fazë të hetimeve kishte pasur pyetje të parashturara për të cilat kërkoi që seanca të mbyllet.

Prokurorja Sahide Gashi, e kundërshtoi propozimin e mbrojtjes lidhur me përjashtimin e publikut dhe konsideroi që nëse mbrojtja eventualsiht ka pyetje për këtë dëshmitare që cenon çfarëdo të mire morale, etike, edhe të të ndjerës H., mund të mbyllet seanca për atë pjesë.

“Mirëpo, Prokuroria konsideron se gjithçka që ka qenë në këtë raport është thënë në seancat e kaluara dhe në seancat publike, për më tepër Prokuroria nuk ka në agjendë pyetje të tilla në këtë situatë që e cenon një gjë të tillë. Kështu që për shkak pikërisht të ndjeshmërisë së madhe, interesit të madh publik, transparencës, propozoj që ta refuzoni kërkesën e mbrojtjes”, tha prokurorja Gashi.

Pala e dëmtuar e mbështeti deklarimin e prokurores Gashi, kurse mbrojtja e të akuzuarve tjerë mbështeti propozimin e avokates Kelmendi.

Më pas, kryetari i trupit gjykues Leon Përlaska, në kuptim të nenin 289, par.3, pika 3.2 të KPPRK-së, e aprovoi propozimin e mbrojtëses Kelmendi, që gjatë dëgjimit të dëshmitares Cyme Mehmetaj, seanca të jetë e mbyllur për publikun.

Gjykimi në këtë rast filloi rishtazi për shkak të ndërrimit të trupit gjykues, ashtu që në vend të kryetares së trupit gjykues Violeta Husaj-Rugova e cila ka avancuar në Apel, tani është gjyqtari Leon Përlaska. Kurse, është shtuar anëtar gjyqtari Arben Mustafaj.

Sipas aktakuzës së ngritur më 5 maj 2023 nga Prokuroria Themelore në Pejë, të pandehurit Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, ngarkohen se më 26 nëntor 2021, në fshatin Gllogjan, Komuna e Deçanit, saktësisht në rrugën “Ismajl Haradinaj”, të shtyrë nga hakmarrja e paskrupullt, në marrëveshje e bashkëveprim me njëri-tjetrin, privojnë nga jeta tre persona, dy prej tyre të cilët ishin fëmijë. Pra, të vdekur mbetën shoferi i autobusit G.Gj, si dhe nxënësit L.H (17 vjeçar) dhe G.M (17 vjeçare).

Back to top button