Policia mbyll përkohësisht edhe pikën kufitare në Bërnjak

(Lajm i përditësuar)
Policia e Kosovës ka njoftuar se bazuar në vlerësimet e tyre, si masë paraprake e sigurisë, përderisa ka disa bllokime edhe në rrugën në drejtim të pikës kufitare Bërnjak, Policia tani ka mbyllur përkohësisht për qarkullim edhe këtë pikë kufitare.
Sipas Policisë, meqë tani dy pikë kalimet kufitare në veri të vendit, janë mbyllur për qarkullim si pasojë e barrikadave të vendosura.
“Ftohen qytetarët që të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim”, thuhet në njoftim.
Mbyllet pika kufitare në Jarinje
Policia e Kosovës ka njoftuar se e ka mbyllur përkohësisht rrugën që çon drejt pikës kufitare në Jarinjë, pasi serbët lokalë bllokuan disa rrugë, pas arrestimit të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, si të dyshuar për organizim sulmesh ndaj zyrtarëve të KQZ-së e Policisë së Kosovës.
“Me qëllim të pengimit të veprimeve policore dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së personit të dyshuar, persona dhe grupe të caktuara në orët e pasdites kanë filluar të grumbullohen dhe të vendosin barrikada me automjete dhe mjete të rënda. Bllokimi i rrugëve ka ndodhur kryesisht në disa rrugë, përfshirë edhe rrugë nacionale të komunave të Leposaviçit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, duke cenuar dhe pamundësuar lirinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave”, thuhet në njoftimin e policisë.
Si masë paraprake të sigurisë, përderisa rrugët janë të bllokuara në drejtim të Pikës Kufitare Jarinje, Policia e Kosovës thotë se të njëjtën e ka mbyllur përkohësisht për qarkullim, andaj qytetarët të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim.
“Si çdo herë Policia e Kosovës, fton qytetarët që të mos bien pre e thirrjeve apo provokimeve të mundshme nga persona apo grupe kriminale, por të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës e cila do të vazhdojë të angazhohet për ofrim të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime, sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar, si dhe ruajtjen e rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës./21Media

Back to top button