OSBE mirëpret shtyrjen e zgjedhjeve

(Lajm i përditësuar)
Kreu i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në Kosovë, Michael Davenport, ka mirëpritur vendimin e presidentes së Kosovës, për shtyrje të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri – të planifikuara për 18 dhjetor – për në prill të vitit të ardhshëm.
Vendimin e Osmanit e kanë mirëpritur edhe vendet e QUINT-it.
QUINT-i mirëpret shtyrjen e zgjedhjeve
Vendimin e institucioneve të Kosovës që të shtyjnë zgjedhjet për kryetarë të komunave në veri të Kosovës për në prill e kanë mirëpritur Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Zyra e Bashkimit Evropian
“Vendimi konstruktiv avancon përpjekjet për të ndihmuar në situatë më të sigurt në veri, që është kyçe për dialogun e lehtësuar nga BE-ja si e vetmja rrugë përpara drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e ambasadave të QUINT-it.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani pas takimit me përfaqësuesit e partive politike, ku u diskutua lidhur me zgjedhjet në veri në një konferencë për media deklaroi se zgjedhjet në veri do shtyhen për muajin prill të vitit 2023.
Sipas Osmanit, shtyerja e zgjedhjeve në veri është e nevojshme./21Media