Mbyllet pjesërisht Qeveria amerikane

Shkak për këtë – mos votimi i buxhetit për vitin 2019

Mbyllja e Qeverisë erdhi pasi senatorët republikanë dhe demokratë dështuan që të arrijnë një marrëveshje mbi shpenzimet.

Presidenti amerikan, Donald Trump është zotuar se nuk do të nënshkruajë asnjë ligj për buxhetin, i cili nuk përfshinë 5 miliardë dollarë për ndërtimin e murit në kufirin ndërmjet SHBA-së dhe Meksikës.

Demokratët kundërshtojnë fuqishëm ndërtimin e murit dhe kanë thënë se do të votonin buxhetin, nëse në të nuk përfshihen fondet për ndërtimin e murit.

“Siç i kemi thënë presidentit Trump para një jave, muri i tij në kufi nuk i ka 60 vota këtu në senat, e as 50. Kjo tanimë është e qartë. Demokratët kanë ofruar 3 propozime për të mbajtur Qeverinë e hapur, dhe jemi të gatshëm të diskutojmë këto propozime”.

Zyrtarët vlerësojnë se 800 mijë punonjës federalë ose do të përjashtohen përkohësisht nga puna ose do të detyrohen që të punojnë pa u paguar menjëherë.

Mbyllja e Qeverisë do të prekë stafin e NASA-s, Departamentit të Tregtisë, Departamentin të Shtetit, Departamentin për Siguri Kombëtare, Drejtësisë dhe Bujqësisë. Parqet nacionale pritet të mbesin të hapura, por shumica e punonjësve në këto parqe nuk do të punojnë.

Senati më herët gjatë javës në mënyrë unanime miratoi Projektligjin për shpenzimet pa përfshirë fondet për ndërtimin e murit në kufi dhe e dërgoi këtë projektligj në Dhomën e Përfaqësuesve.

Por, Dhoma e Përfaqësuesve përfshiu në të edhe paratë për ndërtimin e murit dhe e ridërgoi në Senat, ku nuk kishte vota të mjaftueshme për t’u miratuar.

Si Senati, ashtu edhe Dhoma e Përfaqësuesve pritet që të mbajnë seancë, ku do të tentojnë të arrijnë marrëveshje.

Më 21 dhjetor, presidenti Trump ka shkruar në Twitter se ai shpreson që mbyllja e Qeverisë nuk do të zgjasë shumë. “Shpresoj që mbyllja të mos zgjas shumë”, ka shkruar ai, duke insistuar se “kombi ynë duhet të ketë siguri në kufi”./21Media

Back to top button