Ndalohet një kombi, kontrabandonte duhan të papërpunuar

Njësia policore e Task Forcës, Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare Lindje, gjatë patrullimit arriti ta ndalojë një kombi, i cili duke shfrytëzuar rrugët malore nga fshati Tanushë-Maqedoni e Veriut, duke kaluar përmes fshatit Mjak, ishte nisur në drejtim të Vitisë.
Policia njoftoi se përkundër tentativës për t’iu shmangur patrullës policore, automjeti është ndaluar sot rreth orës 10:00 në fshatin Ramjan të Vitisë.
Automjeti që po drejtohej nga 43 vjeçari S.I. ishte duke bërë transport të mallit që dyshohet të jetë i kontrabanduar.
“Gjatë kontrollit të automjetit transportues është hasur në rreth 800 kg. (36 paketime) duhan të papërpunuar. Rasti është duke u trajtuar nga zyrtarë policorë dhe në koordinim me prokurorin kujdestar. Automjeti me mallin e ngarkuar do të dorëzohet në terminalin doganor tek Dogana e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë./21Media

Back to top button