Më shumë se 600 izraelitë të vrarë dhe 100 të rrëmbyer

(Lajm i përditësuar)


Më shumë se 600 izraelitë janë vrarë që nga e shtuna, sipas një postimi në Facebook nga zyra e shtypit e qeverisë izraelite.

Ai shton se më shumë se 100 njerëz janë rrëmbyer dhe më shumë se 2000 janë plagosur.

Në Gaza, të paktën 370 persona janë vrarë pas sulmeve ajrore izraelite, sipas zyrtarëve palestinezë.


Izraeli shpall zyrtarisht gjendje lufte

Kabineti i sigurisë i Izraelit ka shpallur zyrtarisht gjendje lufte, sipas zyrës së shtypit të qeverisë të dielën.

Lufta “u detyrua ndaj shtetit të Izraelit në një sulm terrorist vrastar nga Rripi i Gazës” të shtunën, thuhet në deklaratën e qeverisë.

Kryeministri Benjamin Netanyahu është zotuar se vendi do të “marrë hak të fuqishëm” për sulmin nga militantët palestinezë.

Deklarata e luftës është marrë në përputhje me nenin 40 të ligjit themelor të Izraelit, tha zyra e shtypit. Izraeli nuk ka një kushtetutë të shkruar, por 13 Ligjet e tij Themelore shërbejnë për një funksion të ngjashëm.

Zyrtari më i lartë i Forcave të Mbrojtjes izraelite, i ngarkuar me aktivitetet në territoret palestineze, tha pas sulmeve se Hamasi ka “hapur dyert e ferrit”. Izraeli ka goditur Gazën me sulme ajrore, të cilat kanë vrarë më shumë se 300 njerëz.


Qindra të vrarë nga konflikti Izrael – Palestinë

Që nga fillimi i sulmeve ndaj Izraelit nga Gaza të shtunën, më shumë se 500 izraelitë janë vrarë, raportojnë mediat lokale – një total që është rritur në mënyrë të vazhdueshme në 24 orët e fundit.

Në Rripin e Gazës, Ministria e Shëndetësisë tha se 313 njerëz ishin vrarë nga sulmet ajrore izraelite, me gati 2,000 të plagosur.


Përleshjet vdekjeprurëse në Izrael dhe Gaza përmes fotografive

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se vendi është në luftë të shtunën pasi militantët palestinezë në Gaza hodhën një breshëri vdekjeprurëse raketash dhe dërguan njerëz të armatosur në territorin izraelit në një përshkallëzim të madh të konfliktit të gjatë midis dy palëve.

Izraeli filloi sulmet ajrore në Gaza në përgjigje të sulmit, ndërsa Netanyahu u zotua të “kërkojë një çmim të madh nga armiku”.

Sulmi befasues herët në mëngjes është i paprecedentë në historinë e fundit në shkallën dhe shtrirjen e tij. Ajo vjen në 50-vjetorin e Luftës së 1973, në të cilën shtetet arabe sulmuan Izraelin në Yom Kippur, ditën më të shenjtë të kalendarit hebre.

Shihni fotot nga terreni, teksa konflikti mes Hamasit dhe Izraelit hyn në ditën e dytë.


Më shumë se 400 militantë palestinezë të vrarë

Më shumë se 400 militantë palestinezë janë vrarë në jug të Izraelit dhe në Rripin e Gazës, dhe dhjetëra të tjerë janë kapur, sipas zëdhënësit të Forcave të Mbrojtjes, Daniel Hagari.


Numri i të vdekurve në Izrael shkon në 350 

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë se numri i izraelitëve të vrarë që kur Hamasi nisi sulmin e tij të shtunën është rritur në 350.

Në një konferencë të dielën, zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes, Daniel Hagari tha se prioritetet tani ishin përfundimi i luftimeve në komunitetet izraelite dhe kontrolli i thyerjeve në gardhin që ndan Gazën dhe Izraelin.


Shtëpitë e liderëve të Hamasit mes 150 objektivave të goditura nga sulmet izraelite

Avionët luftarakë izraelitë kanë goditur 150 objektiva që nga fillimi i sulmeve hakmarrëse, tha një burim palestinez i sigurisë për BBC.

Kjo përfshinte disa komplekse ku besohej se banonin liderët e Hamasit.

24 palestinezë, duke përfshirë dy gra dhe katër fëmijë, janë vrarë që nga mesnata (21:00 GMT), tha burimi.

Më shumë se 250 civilë janë vrarë në total, sipas zyrtarëve palestinezë.


Izraeli nis sulmet në Liban

Izraeli raportohet ka qëlluar në territorin libanez në përgjigje të sulmit me mortaja nga atje.

Ndërsa, një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit tha se të shtënat u realizuan në zonën e malit Dov, një pjesë toke e pretenduar nga Izraeli, Libani dhe Siria pranë kryqëzimit të tre vendeve.

Kurse, Izraeli ka paralajmëruar lëvizjen militante të Hezbollahut të Libanit që të mos përfshihet në luftime.

Hezbollahu është një organizatë politike, ushtarake dhe shoqërore islamike shiite që zotëron fuqi të konsiderueshme në Liban. Ashtu si Hamasi, ai mbështetet nga armiku kryesor i Izraelit, Irani. Ajo zhvilloi një luftë njëmujore me Izraelin në vitin 2006.

Në korrik, ushtria izraelite u përgjigj me zjarr artilerie pasi një raketë antitank u lëshua nga Libani./21Media


Ambasada në SHBA: 100 civilë dhe ushtarë izraelitë janë rrëmbyer

Siç është raportuar, dhjetëra izraelitë janë marrë peng nga militantët palestinezë.

Ende nuk ka ndonjë shifër zyrtare, por Ambasada izraelite në Shtetet e Bashkuara e ka vendosur shifrën në 100 në një postim në rrjetet sociale. Kjo përfshin si civilët ashtu edhe ushtarët.

Në një postim në X, më parë Twitter, thotë gjithashtu se më shumë se 300 izraelitë janë vrarë dhe mbi 1,800 janë plagosur.

Këto shifra nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga Izraeli.


26 ushtarë të vrarë në sulmin e Hamasit

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) publikuan të dielën emrat e 26 ushtarëve të vrarë në sulmin e Hamasit të nisur në agimin e së shtunës.

“Izraeli po zgjohet këtë mëngjes në një mëngjes të tmerrshëm. Ka shumë njerëz të vrarë. Njerëzit janë rrëmbyer në Gaza, jo vetëm ushtarë, por edhe civilë, fëmijë, pleq”, tha në një konferencë të dielën zëdhënësi ndërkombëtar i i Forcave të Mbrojtjes, nënkoloneli Richard Hecht.

“Ne kemi humbur ushtarë, kemi humbur komandantë, kemi humbur shumë civilë”, shtoi ai.

Hecht tha se ka plane për të aktivizuar një linjë telefonike për ata që kanë pyetje në lidhje me personat e zhdukur ose të plagosur.

“Në rastin e personave të zhdukur apo të lënduar, do të aktivizohet një linjë telefonike për të sqaruar pyetjet dhe për familjet që janë të shqetësuara”, tha Hecht. “Ne dimë si të përballemi me situata të vështira dhe sfida të vështira dhe do të përmbushim objektivat që kemi. Kërkojmë nga publiku që të vazhdojë të tregojë përgjegjësi”.


Qindra të vrarë në Izrael e Gaza

Të paktën 300 njerëz kanë vdekur dhe mbi 2,000 të tjerë janë plagosur në Gaza dhe Izrael pasi raketat u hodhën nga Gaza në Izrael nga militantët e Hamasit, thanë autoritetet izraelite.

Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se 232 kanë vdekur dhe 1790 të tjerë janë plagosur në Gaza. Sipas Ministrisë izraelite të Shëndetësisë mbi 100 persona kanë vdekur dhe mbi 900 të tjerë janë plagosur.

Forcat izraelite të mbrojtjes kanë shpallur “gjendje gatishmërie për luftë”.

Në një sulm të befasishëm, militantët palestinezë qëlluan të paktën 2200 raketa drejt Izraelit. Hamasi pretendoi se të paktën 5,000 raketa u hodhën, të gjitha zbritën në Izraelin jugor dhe qendror.

Të dielën herët në mëngjes, policia izraelite tha në një deklaratë se faza e parë përfundon në këto orë me shkatërrimin e shumicës së forcave armike që depërtuan në territor. Në të njëjtën kohë filluan formacionin sulmues dhe ai sipas policisë do të vazhdojë pa rezerva dhe pa pushim derisa të arrihen objektivat.

Policia izraelite njoftoi se kabineti vendosi që furnizimi me energji elektrike, karburant dhe mallra për Rripin e Gazës të pezullohet./21Media

Back to top button