​Mehaj: Kosova e ka vendin në NATO

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj në vazhdimësi të takimeve në Forumin për Bashkëpunim të Evropës Qëndrore në fushën e Mbrojtjes, ka takuar ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Kroacisë, Mario Banzoviq.
Në një shkrim në Facebook, Mehaj ka thënë se Republika e Kosovës ka vendin në NATO, pranë aleatit tonë, Kroacisë.
“Miqësia me shtetin kroat daton qysh herët. Si dy shtete që kemi një të kaluar të ngjajshme, kuptojmë shumë mirë seriozitetin e situatës aktuale gjeopolitike dhe rëndësisë së bashkëpunimit të shteteve të Evropës në fushën e mbrojtjes, me theks të veçantë në Ballkanin Perëndimor, aty ku vërehen haptasi tendencat e ndikimit rus, andaj edhe pjesë e diskutimit ishte bashkëpunimi ndërmjet ministrive të mbrojtjes dhe forcave të të dyja shteteve përmes nënshkrimit sa më parë të marrëveshjes SOFA, që do thellonte dhe detajizonte bashkëpunimin ushtarak në shumë drejtime, duke kontribuar kështu në ruajtjen e paqes në rajon por edhe më gjerë”, ka thënë Mehaj.
Ai tutje ka thënë se e kaluara është mësim që nuk përsëritet më, “andaj qëllimet tona janë të qarta, e ardhmja jonë është pranë familjes së madhe të Bashkimit Evropian dhe aleancës së NATO-s”.
“Në këtë rrugëtim kemi aleat Kroacinë, ashtu si edhe shumë shtete të tjera partnere që vlerësojnë pozicionimin proevropian të Republikës së Kosovës dhe të shtetasve tanë”, ka shkruar Mehaj./21Media

Back to top button