Mehaj: Pas 11 vjetësh Kosova afër Strategjisë së re të Sigurisë së saj
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se pas 11 vjetësh Kosova është afër Strategjisë së re të Sigurisë së saj.
“Pas 11 vjetësh Kosova afër Strategjisë së re të Sigurisë së saj. Sot në mbledhjen e 86-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës nga 23 vendimet e saj, ka shqyrtuar dhe miratuar Strategjinë e Sigurisë së Kosovës për pesë vitet e ardhshme (2022-2027). Strategjia paraqet objektiva të ndërlidhura me interesa shtetërore, siç janë mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial, ruajtja e rendit kushtetues dhe sigurisë publike, siguria njerëzore dhe zhvillimi shoqëror, si dhe integrimi në struktura euroatlantike dhe mekanizmat tjera ndërkombëtare”, ka thënë Mehaj.
Mehaj u shpreh se me miratimin e Strategjisë edhe nga Kuvendim do të kenë mundësi të hartojnë Strategjinë e parë Ushtarake të Republikës së Kosovës.
“Pas miratimit të Strategjisë edhe nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, Sekretariati i Këshillit të Sigurisë do të ngarkohet me zhvillimin e planit të veprimit, sistemit të monitorimit, si dhe vlerësimit për zbatimin e saj. Ne Ministria e Mbrojtjes, mezi presim miratimin e saj, mbi bazën e së cilës do të ridizajnojmë Strategjinë e Mbrojtjes si dokumentin tonë kryesor strategjik, si dhe më pas do të hartojmë edhe Strategjinë e parë Ushtarake të Republikës së Kosovës”, shtoi Mehaj.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar strategjinë e sigurisë për vitet 2022-2027, e cila është e dyta që nga shpallje e pavarësisë së Kosovës./21Media