Miratohet Strategjia e Sigurisë 2022-2027

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar strategjinë e sigurisë për vitet 2022-2027, e cila është e dyta që nga shpallje e pavarësisë së Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti tha se strategjia për sigurinë është hartuar në bashkëpunim dhe konsultim me të gjitha institucionet shtetërore, e në veçanti me ato të fushës së sigurisë. Sipas tij, kjo strategji i është nënshtruar procesit të konsultimit të brendshëm e të jashtëm, përfshirë edhe shteteve të QUINT-it.
“Kjo është strategjia ombrellë e sektorit të sigurisë ndaj një rreziku, kërcënimit dhe sfidat për sigurinë e vendit tonë. Njëkohësisht paraqet mundësitë dhe vizionin për të ardhmen tonë… Strategjia paraqet objektivat e ndërlidhura me interesat shtetërore, siç janë mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial, ruajtja e rendit kushtetues dhe sigurisë publike, siguria njerëzore dhe zhvillimi shoqëror, si dhe integrimi në strukturat euroatlantike dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtare. Synimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO ”, ka thënë Kurti.
Ai shtoi se synimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe BE, si parakusht për sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit tonë.
“Kosova do të aplikojë në Programin e Partneritetit për Paqe dhe anëtarësim në Kartën e Adriatikut, si dhe mekanizma të tjerë rajonal të sigurisë. Njëkohësisht, Kosova do të aplikojë për statusin kandidat dhe do të zbatojë reformat e nevojshme për të lehtësuar procesin e integrimit në BE”, ka thënë ai.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe udhëzimin administrativ për mbrojtjen e fëmijës kundër faqeve të internetit me përmbajtje pornografike dhe të atyre që dëmtojnë shëndetin dhe jetën e fëmijës.
“Me qëllim të mbrojtjes dhe kujdesit ndaj shëndetit të fëmijëve tanë, Ministria e Punëve të Brendshme ka hartuar këtë projekt-udhëzim administrativ, i cili do të definojë zbatimin dhe kompetencat e institucioneve relevante që të garantojnë zhvillim të shëndoshë të fëmijëve tanë. Ky projekt-udhëzim bazohet edhe në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës dhe përmban fëmijët nga çdo përmbajtje e papërshtatshme që ndikon në zhvillimin fizik, kognitiv dhe emocional të fëmijës”, ka thënë Kurti.
Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka emëruar edhe bordin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, i cili do të kryesohet nga Dafina Gexha-Bunjaku nga Ministria e Shëndetësisë. Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka prezantuar përbërjen e bordit të këtij fondi.
“Propozoj sot që ta aprovojmë bordin e ri të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, me këtë përbërje: Dafina Gexha-Bunjaku nga Ministria e Shëndetësisë, Ahmet Ismaili nga Ministria e Financave dhe Transfereve, Klit Shala nga Ministria e Financave dhe Transfereve, Kastriot Meqa përfaqësues i Odës së Profesionistëve Shëndetësorë, Agreta Gashi përfaqësuese e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Fahri Shabani, përfaqësues i Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe Muhamed Alikodra, përfaqësues i Shoqatës së Pacientëve”, ka thënë Latifi.
Qeveria ka marrë vendim edhe për obligimin e bizneseve për shërbim të ujit të pijshëm nga rubineti.
“Propozoj aprovimin e vendimit që në rastet kur objektet e gastronomisë furnizohen nga ujësjellësi publik, pronari i biznesit nuk mund të ndalojë klientët të shërbehen nga uji i rubinetit. Në rastet kur objekti i gastronomisë pretendohet të furnizohet nga uji i puseve, rezervuarëve apo rrjeteve që nuk menaxhohet prej kompanive rajonale të ujit, pronari i biznesit obligohet që të hartojë dhe zbatojë planin e monitorimit operacional të cilësisë të ujit”, ka thënë Latifi.
“Aktualisht janë më shumë se nëntë komuna të cilat nuk kanë noterë për shkak se një vendim, i cili ka rrëzuar një proces të provimit të noterisë, është ende pranë Gjykatës së Apelit. Prandaj, në këto rrethana të jashtëzakonshme ligji parasheh që ministri i Drejtësisë të ketë të drejtën e caktimit të noterit në një komunë përkatëse. Dhe duke pasur parasysh nevojat e qytetarëve për shërbime noteriale konsiderojmë si qeveri se i njëjti duhet të mbështetet”, ka thënë Haxhiu.
Ekzekutivi sot ka miratuar gjashtë nisma për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare me Pakistanin, Irlandën, Egjiptin, Jordaninë, Letoninë dhe Lituaninë për ripranimin e personave që qëndrojnë pa autorizim./kp

Back to top button