Mehaj thotë se Kosova është e sigurt

Kosova është e sigurt dhe se nuk bie pre e kërcënimeve apo shantazheve.
Kështu ka deklaruar ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në konferencën ku prezantoi arritjet njëvjeçare të këtij dikasteri.
Mehaj ka thënë se Serbia ka për qëllimin destabilizimin jo vetëm të Kosovës, por edhe rajonit. Sipas tij, institucionet e Kosovës e kanë situatën e sigurisë nën kontroll.
Ai ka theksuar se institucionet e sigurisë në Kosovë janë në bashkëpunim të mirëfilltë me KFOR-in.
“Kosova i ka institucionet e veta të sigurisë, ne i përcjellim ngjarjet jo vetëm në rajon, por edhe jashtë rajonit, gjeopolitikisht situata ka ndryshuar shumë në vende. Ne nuk biem pre e fjalëve, kërcënimeve, shantazheve të rreme siç ka bërë Serbia në tërë këto vite, ne e mbajmë atë gjakftohtësinë, Kosova është e sigurt, i ka institucionet e sigurisë, ne jemi bashkëpunim të mirëfilltë me KFOR-in, kështu siç thoshte një plak, merru me atë që e dimë e njerëzit të flasin çka të dojnë”, ka theksuar Mehaj.
Ministri tutje ka thënë se për anëtarësimin e Kosovës në NATO ekziston mbështetja nga shumë shtete partnere, por ka theksuar nevojën e mbështetjes nga shtetet mosnjohëse.
Kosova do ta ketë agjencinë e inteligjencës për siguri, çka edhe është kriter për anëtarësimin në aleancë, ka thënë ai.
Ministri i Mbrojtjes ka bërë të ditur se Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë pjesë edhe e ushtrimit të radhës “Defender Europe 23” pas suksesit në atë të vitit 2021./21Media

Back to top button